Lajme Shqip Monday, 21 March 2011 07:37

Prishtinë, Tiranë – Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, në vizitën e parë zyrtare jashtë vendit pas zgjedhjes në këtë post, do të qëndrojë në Republikën e Shqipërisë, sot dhe nesër, më 21 e 22 mars.

Sipas burimeve zyrtare të Presidencës kosovare, në vizitën me ftesë të Presidentit  Bamir Topi, Presidenti Pacolli do të shoqërohet nga disa ministra të Qeverisë se Republikës së Kosovës dhe nga përfaqësues të biznesit.

Bëhet e ditur se Presidenti Pacolli do të pritet në takime zyrtare nga Presidenti Topi, Kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit shqiptar e përfaqësues të spektrit politik.

Gjithashtu, Presidenti Pacolli do t’u drejtohet me një fjalë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, do të vizitojë Universitetin Evropian të Tiranës, ku do t’i jepet titulli i nderit “Doctor Honoris Causa”, do të marrë pjesë në Forumin e Biznesit Kosovë-Shqipëri dhe një varg aktivitetesh të tjera. Në përmbyllje të vizitës, Presidenti Pacolli do të vizitojë edhe qytetet e Krujës e të Lezhës.

Është paralajmëruar se pjesë e turneut të parë jashtë vendit të Pacollit si President i Kosovës do jetë edhe vizita në Maqedoni më 23-24 mars.