Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 09:16

Prishtinë – Dorëzimi i detyrës së Presidentit të Kosovës nga Behgjet Pacolli, tek kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi nuk u bë sot, sikurse ishte njoftuar ditën e shtunë.
Presidenca sapo bëri të ditur përmes një njoftimi për shtyp se takimi i paraparë për sot në orën 10:00 në Presidencë nuk do të mbahet, dhe se Pacolli nuk do të marrë pjesë në takim. 
“Ju njoftojmë se z. Behgjet Pacolli, nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e pranim-dorëzimit të detyrës së Presidentit. Bazuar në nenin 90 të Kushtetutës së Republikës së Kosoves dhe në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, datë 01 Prill 2011, z. Behgjet Pacolli nuk mund të bëjë dorëzimin e detyrës së Presidentit te Kryetari i Parlamentit, z. Jakup Krasniqi”, shtohet në njoftim.
Në njoftim thuhet se “Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, që nga momenti i marrjes së sqarimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, vazhdon të ushtrojë detyrën e Presidentit të vendit”. 
Për këtë arsye, “z. Behgjet Pacolli e sheh te panevojshme të marrë pjesë në këtë ceremoni”, përfundon njoftimi.
Zyrtarë të lartë të AKR-së dhe të Koalicionit për Kosovë të Re kanë bërë të ditur se “njëzëri janë pajtuar për të shqyrtuar seriozisht mundësinë e shkëputjes se menjëhershme të Koalicionit Qeverisës”, nëse “kontrata” ku kusht ishte Pacolli President “nuk do të përmbushet në tërësinë e saj”.