Lajme Shqip Wednesday, 26 December 2012 16:52

TIRANË – Presidenti Nishani dhe Zonja e Parë festojnë festat e fundvitit me dhjetë nxënësit më të dalluar nga çdo qark i vendit. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani dhe i biri, në një atmosferë të ngrohtë festuan me nxënësit më të dalluar të 12 qarqeve të vendit festat e fundvitit. Në festën e organizuar në mjediset e Institucionit të Presidentit të Republikës ishin ftuar 10 nxënësit më të dalluar të çdo qarku, të cilët shoqëroheshin nga mësuesit dhe drejtuesit e drejtorive arsimore të qarqeve përkatës.

Në fjalën përshëndetëse, Presidenti i Republikës i falenderoi dhe i uroi nxënësit për rezultatet e larta në mësime, të cilat janë frut i përpjekjeve të mëdha të vetë nxënësve, por edhe i punës e përkushtimit të mësuesve. Duke u uruar nxënësve një Vit të Ri të gëzuar dhe të jenë sa më të suksesshëm, Kreu i Shtetit u shpreh se viti që po mbyllet ishte një vit i veçantë për të gjithë shqiptarët, të cilët kujtuan me madhështi 100-Vjetorin e Pavarësisë së vendit, por edhe një moment kur shqiptarët treguan dashurinë e madhe për Atdheun. 

“Shqipëria është një vend i mrekullueshëm. Ajo e meriton që të ketë njerëz po aq të mirë. Kështu që, unë dëshiroj të shpreh të gjithë besimin që, ju do të bëheni jo vetëm banorët më të mirë në breza të këtij vendi, por do të jeni dhe drejtues shumë të mirë të këtij vendi. Jam plotësisht i bindur që, Shqipëria ka një të ardhme të shkëlqyer, ndaj për këtë të ardhme duhet që ne së bashku t’i ofrojmë vendit përpjekjet dhe punën tonë”, u shpreh Presidenti Nishani.

Presidenti Nishani duke përshëndetur prindërit e fëmijëve për mundësitë që u kanë krijuar për t’u shkolluar, u kërkoi nxënësve të ruajnë respektin më të lartë ndaj mësuesve. “Unë kam një kërkesë të veçantë për ju. T’i doni shumë mësuesit tuaj, t’i respektoni shumë dhe t’u bëheni krah edhe në momente të vështira, që ata kanë gjatë ditës së mësimit, sepse ata kanë nevojë dhe për përkrahjen tuaj. Ju mund të mendoni, se mësuesi është shumë i fuqishëm dhe nuk ka nevojë për ndihmë. Unë besoj që ata kanë nevojë për ndihmën tuaj. Kështu që unë do t’ju kërkoja që, ju në çdo moment t’ua ofroni këtë ndihmë, t’ua ofroni këtë bashkëpunim”, theksoi Presidenti Nishani.

Në fund të fjalës së tij, Kreu i Shtetit shprehu sigurinë se, viti i ardhshëm do të sjellë edhe më shumë investime për infrastrukturën e shkollave, mjediset e studimit dhe mësimit, duke shprehur bindjen se Shqipëria ka një të ardhme të shkëlqyer përpara, për të cilën duhet të përpiqen dhe të kontribuojnë të gjithë. Më pas, Presidenti Nishani dhe Zonja e Parë shpërndanë dhurata për të gjithë nxënësit, të cilët patën mundësinë të ruajnë një kujtim të veçantë me Kryetarin e Shtetit.(SH.O/LajmeShqip.com)