Lajme Shqip Thursday, 26 April 2012 10:54

Tiranë  (PLOTESUAR 26 prill, 13:30)- Pas takimit me Ramën që zgjati dy orë, Nano tha se ai u zhvillua në kuadër të konsultimeve të tij me aktorët kryesorë politikë në vend, “për të folur nga afër, jo vetëm mbi platformën dhe ofertën e paraqitur publikisht për një zgjidhje të sfidës presidenciale në përputhje me prioritetet dhe kërkesat e vendit, të Atdheut, me 100 vjetorit të Pavarësisë, por veçanërisht në funksion të një dinamike më prodhuese të punës që bën klasa politike dhe institucionet e Shqipërisë për detyrat e integrimit”.

“Është një konsultim i dobishëm. Unë vlerësoj jo vetëm mirëkuptimin në zhvillim edhe me Partinë Socialiste, siç konstatova dhe me z. Meta, si drejtues i LSI-së, dhe vlerësoj sidomos faktin që me një proçes që do të vazhdojë është e dobishme të vlerësohet roli i pazëvendësueshëm i PS-së si forca kryesore e opozitës në përballimin pozitiv të detyrave të integrimit dhe përmirësimin e klimës politike në Shqipëri”, nënvizoi Nano. Ai ftoi mediat të bëjnë durim për këtë çështje, pasi siç tha ai, proçesi i zgjedhjes së presidentit është “një produkt që ende nuk mund të jetë në xhepin e askujt, në rast se ai nuk ju shërben të gjithëve, klimës politike të vendit”.

“Ju përsëris që unë, kryetari i PS-së, kryetari i LSI, drejtues të forcave të tjera politike dhe kryeministri Berisha të vazhdojmë të mbështesim ne të njëjtën gjatësi vale dhe impenjim kombëtar realizimin e zgjidhjes së sfidës presidenciale në përputhje me objektivat e integrimit të vendit”, përfundoi ish-kryeministri Nano dhe ish-lideri historik i i të majtes, prononcimin e tij për mediat, pas takimit me kryetarin e PS-së, Rama. (LajmeShqip.com)

**********************

Tiranë-Pas takimit me Ilir Metën, Fatos Nano, i vetëkandiduari për President të Shqipërisë ashtu siç paralajmëroi do takoje dhe kreun e PS, Edi Rama.

Takimi nisi sot në orën 11:00 tek selia e Partisë Socialiste, ku Nano ka munguar që prej kohëve kur e drejtonte këtë parti.

Pas 5 vjetësh dhe sërish synimi për tu bërë president e ka çuar edhe një herë ish kryeministrin Fatos Nano drejt selisë së Partisë Socialiste e konkretisht zyrës kryesore në katin e dyte.
Burimet pranë ish kryeministrit konfirmuan se Nano ka kërkuar ditën e djeshme takimin me njeriun që drejton Partinë Socialiste që prej largimit të tij në vitin 2005, Edi Rama.

Një takim të mëparshëm Nano pati dhe me kreun e qeverisë, Sali Berisha por zyrtarisht u konfirmua se nuk u bisedua për çështjen e Presidentit, si dhe një takim me ambasadorin amerikan në vendin tonë, Alexandër Arvizu.

Nano ka njoftuar se do të kryejë takime dhe me kryetarë të tjerë të partive në Shqipëri. Para disa ditësh në një emision, Nano ofroi të rikandidohet për President të Shqipërisë. (GSh)