Lajme Shqip Wednesday, 02 May 2012 14:00

Tiranë (PLOTESUAR 15:30) -Në një prononcim për mediat pas takimit me ish-kryeministrin Fatos Nano, kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi tha se, “ne patëm nje diskutim të gjatë ku Nano na parashtroi platformën e tij, që ka të bëjë me një president konsensual dhe mbi të gjitha një platformë integruese, me vizion dhe gjithpërfshirëse”.

“Ne e vlerësojmë faktin që presidenti do të jetë jo vetëm konsenusal, por duhet të ketë edhe një profil të lartë publik e politik. Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, Idrizi u shpreh se, “kandidatura e zotit Nano dhe dëshira jonë që të kemi proces konsensual, natyrisht që do të kaloje nje proces negociatash me të gjitha forcat politike brenda maxhorancës dhe jashtë maxhoranës”.

“Nano është person publik që ka goxha eksperiencë në jetën publike shqiptare , ka nje platforme që po ia paraqet të gjithë publikut shqiptar dhe besoj se i përmbush këto kritere dhe ne do të japim të gjithë kontrubutin tonë që Presidenti i Republikës të jetë një figurë e pranuar nga të gjitha forcat politke parlamentare dhe publiku shqiptar”. (LajmeShqip.com)

**************************

Tiranë – Ish-kryeministri socialist, Fatos Nano, kandidat i vetëshpallur për postin e presidentit të ri të Republikës, u takua të mërkurën në mesditë, me kryetarin e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi.

Në një prononcim për mediat, Nano tha se tashmë procesi i zgjedhjes së presidentit është në rrugën e duhur për të zgjeruar dialogun mes drejtuesve të forcave politike. “Në tërësi jemi në rrugën e duhur për të zgjeruar dialogun mes drejtuesve të politikës aktuale, jo vetëm në funksion të zgjidhjes së çështjes presidenciale, në përputhje me objektivat e integrimit dhe përshpejtimin e reformave, por dhe me këtë klimë të nevojshme që të gjithë kontributet të konvergojnë në këtë çështje të integrimit. Besoj se edhe për mua është kënaqësi që, qoftë edhe për shkak të iniciativës sime, po ndodhin kaq shumë takime të munguara në kaq pak kohë”, tha Nano.

Kandidati i vetëshpallur për postin e Kreut të Shtetit theksoi se procesi i zgjedhjes së presidentit duhet të jetë i zhveshur nga ndrojtja. “Nëse ka oferta të tjera është stimul më shumë për ta nxitur publikun që të jetë më i informuar. Besoj se në rrugën që na bashkon, garuesit janë me tipare të qarta”, i është përgjigjur ai pyetjes se si i vlerëson  kandidaturat e tjera për këtë post.

Nano deklaroi se shumë shpejt do të zhvillohet dhe takimi me kryeministrin Sali Berisha, ndërsa sqaroi se ai nuk do të interferojë e as të ndërpresë axhendat e krerëve të shtetit.

Në komunikimin e sotëm me mediat, Fatos Nano komentoi dhe zhvillimet e fundit në Maqedoni, duke i konsideruar ato kritike. “Zhvillimet në Maqedoni janë kritike, por palët politike nuk ka interes të përfshihen në konflikte, ato nuk duhet të nguten dhe të paraqesin çdo incident në frymën e konflikteve. Drejtësia duhet të ndëshkojë keqbërësit individualisht dhe jo të japë dënime kolektive”, tha Nano. (LajmeShqip.com)