Lajme Shqip Saturday, 14 April 2012 12:26

TIRANË- Elvis Çefa u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në një klimë të tensionuar mes mazhorancës e opozitës dhe po kaq të vështirë parashikohet ta ketë edhe për t’u zgjedhur nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, post për të cilin u projektua qysh në fillim nga mazhoranca. Mospjesëmarrja e Gazmend Oketës në votimin për Çefën ishte sinjali i parë publik për kryeministrin Berisha se kryetari i AKKP-së nuk është në listën e propozimeve të Presidentit të Republikës. 

Ditën e hënë, në orën 10:00 të paradites, Presidenti Topi ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku pika e parë e rendit të ditës do të jetë zgjedhja e nënkryetarit. Debati në heshtje mes PD-së dhe institucionit të Presidencës ka nisur ende pa filluar, sepse axhenda e Topit (nën cilësinë e kryetarit të KLD-së) është shpërndarë ditën e mërkurë, pra një ditë para se në Kuvend të zgjidhej Elvis Çefa, çka  do të thotë se kreu i shtetit ka paracaktuar kandidatët e tij për postin e nënkryetarit, duke lënë qartë të kuptohet se edhe nëse Kuvendi nuk do të arrinte të zgjidhte anëtarin e ri të KLD-së, ai kishte në plan të propozonte për nënkryetar një nga anëtarët aktualë të KLD-së.

 Pas zgjedhjes së Çefës, automatikisht pika e parë e rendit të ditës do të jetë verifikimi i mandatit të tij dhe zgjedhja e nënkryetarit do të spostohet si pikë e dytë. Sipas ligjit me propozim të Presidentit, KLD zgjedh nga radhët e tij një zv/kryetar. Burime nga mazhoranca, por edhe KLD-ja thanë dje se jo zyrtarisht për postin e nënkryetarit po përfliten dy emra kandidatësh; Ilir Mustafaj dhe Dritan Hallunaj, dy kandidatura këto që sa duket janë edhe në optikën e Presidentit të Republikës, Bamir Topi.

Burimet sqaruan se kreu i shtetit do të përqendrohet tek një kandidaturë me profesion gjyqtar (dhe jo jurist si Çefa), për shkak se një prej detyrave të nënkryetarit të KLD-së është edhe ndjekja e punimeve të Inspektoratit të KLD-së për verifikimin e ankesave dhe të dhënave për gjyqtarët, si dhe zbatimi i detyrave të ngarkuara nga Këshilli, në rastet e proçedimeve disiplinore të filluara nga ministri i Drejtësisë. Të dy kandidatët si Ilir Mustafaj, ashtu dhe Dritan Halluanj që lakohen për t’u propozuar për numrin dy të KLD-së, vijnë nga eksperienca të gjata si gjyqtarë.

Tek argumentimi sa më sipër, pritet të fillojë debati edhe me mazhorancën. Demokratët pretendojnë se nënkryetar i KLD-së duhet të zgjidhet një përfaqësues i zgjedhur nga Kuvendi (si në rastin e Spahiut), andaj jo domosdoshmërisht duhet të jetë gjyqtar. Duke mbështetur fort kandidaturën e Elvis Çefës, burime nga PD-ja shprehen se kandidatura në fjalë mund të plotësojë më së miri detyrat e një nënkryetari të KLD-së. Edhe ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi tha pak ditë më parë se nënkryetari i KLD-së ka qenë gjithmonë përfaqësues i Kuvendit kundrejt 9 gjyqtarëve të zgjedhur në KLD.

Sipas tij, eksperienca, qoftë kur në mazhorancë ka qenë e majta, qoftë e djathta, ka treguar se kandidatura për postin e nënkryetarit ka qenë një anëtar i KLD-së, i cili është miratuar si i tillë nga shumica në Kuvend. Nënkryetari i KLD-së, sipas mazhorancës, është administrator që praktikisht ndjek punimet normale të KLD-së si dhe organizon e drejton veprimtarinë e Inspektoratit dhe të administratës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Duke ndjekur këtë logjikë, demokratët pretendojnë gjithashtu se nënkryetari i KLD-së nuk mund të jetë një mbështetës i një presidenti në ikje, pasi puna e tij mund të krijonte konflikte me presidentin e ardhshëm sa kohë që zëvendëskryetari, në rast mungese dhe me autorizim të tij, zëvendëson kryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në shumë prej mbledhjeve të zhvilluara.

Megjithatë, pretendimet sa më sipër nuk kanë një bazë ligjore, e për pasojë Presidenti i Republikës duket se do të ndjekë rrugën zyrtare të miratimit të nënkryetarit. Demokratët nuk janë gjithashtu të sigurt për votat në KLD, ndërsa eksperienca për mbështetjen që ka kryetari i KLD-së ka treguar të kundërtën. Ditën e hënë pritet të kemi një “matje tjetër forcash” kësaj here jo mes mazhorancës dhe opozitës, por me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, i cili me axhendën e paracaktuar dhe me dy kandidatët në mendje, ka vendosur se nuk ka kthim pas. Në këtë mbledhje pritet që të bëhet edhe verifikimi i mandatit të Çefës. (M.O)