Lajme Shqip Saturday, 05 November 2011 21:36

PRISHTINË – Presidenti i SHBA-së, Barack Obama uroi sot Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e festës së Bajramit të Vogël.

Sipas zyrës së shtypit pranë presidencës, në mesazhin e tij, Presidenti Obama uron gjithë besimtarët myslimanë në mbarë botën me rastin e kësaj feste.

“Në kohën kur pelegrinazhi vjetor i Haxhit po përmbyllet në Mekë, Michelle dhe unë i përgëzojmë të gjithë myslimanët në Amerikë dhe gjithandej në botë me rastin e Bajramit dhe në veçanti, pelegrinët që po kthehen nga përmbushja me sukses e një obligimi të një prej shtyllave qendrore të Islamit”, thuhet në këtë mesazh.

“Jemi krenarë që mijëra myslimanë amerikanë u janë bashkuar afro tre milionë myslimanëve në pelegrinazh në Haxh, ritualet e të cilëve shërbejnë si një përkujtues i gjenezës së përbashkët të Profetit Ibrahimit, të tri relegjioneve më të mëdha në botë. Kur aq shumë njerëz me prejardhje të ndryshme etnike dhe ekonomike  tejkalojnë dallimet e tyre me qëllim që të përqëndrohen në diçka më të madhe, është mësim për gjithë njerëzimin se dallimet tona janë një burim i forcës së dhuruar nga Zoti që duhet të përqafohet”, përfundon mesazhi i Presidentit Obama.

Ndërsa, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton i dërgoi urime Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, me rastin e Festës së Kurban Bajramit.

Clinton përgëzon të gjithë myslimanët kosovarë për festën e Bajramit, duke uruar që këtë festë ta kalojnë në paqe dhe të gëzuar.