Lajme Shqip Wednesday, 17 August 2011 19:15

Prishtinë – Në kuadër të turneut të tij lobues në kontinentin e Afrikës, zv/kryministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës,  Behgjet Pacolli, pas vizitës në Togo, ka udhëtuar në Abuja, Nigeri, ku ka zhvilluar një darkë të përbashkët me presidentin e këtij shteti, Goodluck Jonathan.

Sipas njoftimit nga zyra e zv/kryeministrit të parë, takimi u zhvillua në një atmosferë shumë miqësore, gjatë të cilit Pacolli e njoftoi në detaje Presidentin Jonathan për historinë e Kosovës, për periudhën e pas luftës dhe për procesin demokratik të pavarësimit të vendit.

“Mund të konkludohet se në bazë të atmosferës dhe rrjedhës së takimit që zoti Behgjet Pacolli ka zhvilluar me presidentin Jonathan, edhe Nigeria si njëri ndër shtetet më të fuqishme të kontinentin Afrikan, në një periudhë të afërt do ta njoh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”, thuhet në njoftim.

Ky ishte takimi i tretë i zëvendëskryeministrit Pacolli me presidentin Jonathan dhe më substancial, pas dy takimeve të shkurtra të zhvilluara më herët.

Zv/kryeministri i parë, Behgjet Pacolli, gjate tre raundeve të vizitave në kontinentin e Afrikës, ka vizituar më se 28 shtete dhe ka takuar presidentet e këtyre shteteve. Aktualisht, zv/kryeministri Pacolli është duke vizituar shtetin e Beninit, ndërsa turneu i tij lobues do të vazhdojë me vizitat në shtetin Gabon dhe Kongo.

Këto vizita të zv/kryeministrit Pacolli në Afrikë kanë rezultuar të suksesshme, duke i sjellë Kosovës njohjen nga Afrika Qëndrore, Republika e Nigerit dhe Republika e Guinesë.