Lajme Shqip Tuesday, 13 December 2011 21:29

Bruksel-Bashkimi Evropian pret që Serbia të përparojë në dialogun e nisur me Prishtinën në mënyrë që në muajin shkurt të marrë statusin e vendit kandidat.

Siç raporton RTK, ka qënë kjo deklarata e presidentit të BE-së Herman Van Rompuy gjatë një fjalimi para eurodeputetëve në Parlamentin Europian.

“Presim që Serbia të avancojë dialogun dhe të përmirësojë marrëdhëniet me Prishtinën me synimin që në shkurt të vitit 2012 Këshilli i Ministrave t`i lejojë statusin e kandidatit, të cilin Këshilli Evropian do ta konfirmojë”, ka thënë Van Rompuy.

Ndërkohë i ngarkuari me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Michael Murphy, ka ritheksuar edhe një herë se shteti i tij e mbështet dialogun që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi rezultatet e tyre kanë pasur ndikim pozitiv për rajonin.

 “Kjo është pasqyruar edhe me vendimet dhe konkluzionet e BE-së, të cilat kanë dalë javën e kaluar, ku është thënë se këto do të rezultojnë me liri të lëvizjes, në kthimin e regjistrave, por dhe në hapjen e dialogut për liberalizimin e vizave dhe marrëdhënieve tregtare”, ka deklaruar ai.