Lajme Shqip Thursday, 03 May 2012 13:53

Tiranë – Kandidati i vetëshpallur për postin e Presidentit të Republikës, ish-kryeministri Fatos Nano, u takua të enjten në mesditë me kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, në kuadër të prezantimit të platformës së tij për garën e ardhshme presidenciale.

Pas këtij takimi, që e konsideroi ‘të dobishëm’, Nano tha për mediat se “procesi po gjeneron më shumë konsensus në mbështetje të inicativës kombëtare që na bashkon me Europën”. 

Ndërsa kryetari i partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, tha se “vota jonë, ashtu si në vitin 2007, do të jetë për kandidaturën e zotit Fatos Nano dhe se mbështetja do të zyrtarizohet edhe nga forumet e partisë”.

Ai gjithashtu theksoi se “PBDNJ e ka mbështetur zotin Fatos Nano që në momentin e parë të manifestimit të kësaj iniciative”. (LajmeShqip.com)