Lajme Shqip Monday, 23 April 2012 08:02

Tiranë – Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu, pas takimit qe zhvilloi  pasditen e djeshme me ish-kryeministrin Fatos Nano, e cilësoi atë si një nga kandidatët më serioze për President.

“Ne kemi nevojë për një lidership pozitiv dhe mendoj që shumë gjëra pozitive janë të tipizuara në një person si Fatos Nano”, tha Arvizu.
Përfaqësuesi i SHBA-ve në Tiranën zyrtare u shpreh edhe në lidhje me komentet televizive të Fatos Nanos, pak dite më parë, në lidhje me ngjarjet e 21 janarit dhe i vlerësoi ato si komente objektive. “Mendoj që komentet e tij për 21 janarin janë komentet më objektive, më të balancuara dhe më të mirë menduara që kam dëgjuar deri më sot”, tha Arvizu.

Në një deklaratë për mediat, Aleksandër Arvizu u shpreh edhe në lidhje me proçesin e përzgjedhjes së Presidentit për të cilin tha se duhet të jetë kushtetues. “Do të doja të theksoja që është një proçes që ka shumë implikime që kanë lidhje me të ardhmen e këtij vendi, me marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare, perspektivën e Shqipërisë në BE dhe marrëdhëniet me SHBA-në”, tha Arvizu.

Ambasdori amerikan shtoi se me ish-liderin e majtë, Nanon, janë takuar disa herë dhe pret mundësi të tjera takimi në të ardhmen. Arvizu dhe Fatos Nano u takuan për rreth 90 minuta pasditen e së dielës në një bar në kryeqytet, ndërkohë që Nano pak ditë më parë vetëshpalli kandidaturën e tij per President. (LajmeShqip.com)