Lajme Shqip Tuesday, 12 July 2011 11:19

Ohër – Në Ohër, sot fillon pjesa punuese e Takimit të tretë të presidentëve nga rajoni, nikoqir i të cilit është presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov. Ay do të marrin pjesë homologët nga Shqipëria, Bamir Topi, Kosova, Atifete Jahjaga dhe Mali i Zi, Filip Vujanoviq. Sipas agjendës, janë paraparë takime bilaterale të presidentëve me ç’rast do të pasojë edhe takim plenar i “katërshes”.

Qëllimi i këtij takimi, tashmë tradicional, është mirëmbajtja e dialogut në nivel më të lartë midis vendeve fqinje në kuadër të perspektivës së përbashkët euroatlantike. Sferat e diskutimit dhe veprimit të përbashkët janë të lidhura me temat e integrimit në BE dhe NATO, të cilat duhet t’i lehtësojnë këto procese, përforcimi i demokracisë reformuese, bashkëpunim i rritur ekonomik dhe nxitje të investimeve rajonale, lidhje infrastrukturore dhe energjetike, bashkëpunimi ndërkufitar në luftën kundër krimit. Mesazhin që do ta bëjë “katërshja”, ndërsa do të dërgohet edhe në Bruksel dhe kryeqytetet evropiane, është se Maqedonia, Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi ndajnë vlera evropiane dhe vizion identik për ardhmërinë. Prioritet i lartë për katër vendet është integrimi i përshpejtuar në Bashkimin Evropian dhe në NATO, ndërsa realizimi i këtyre qëllimeve strategjike është i mundur vetëm me bashkëpunim intensiv bilateral, por edhe më e rëndësishme, me bashkëpunim rajonal.

Nga samiti, i treti me radhë në këtë format, pritet të dalin iniciativa për projekte të reja rajonale, posaçërisht në lidhjen infrastrukturore dhe energjetike. Në Ohër shefi i shtetit të Maqedonisë do të ngrit edhe propozim në qoftë se paraqitet nevojë urgjente dhe sipas shembullit të vendeve anëtare të BE-së, presidentët e rajonit të takohen më shpesh, e jo vetëm një herë në vit.

Takimi rajonal i liderëve, si formë e bashkëpunimit, për Ivanovin, siç nënvizojnë nga Kabineti, mbetet e hapur edhe për të gjitha vendet tjera të rajonit, duke i përfshirë edhe Serbinë dhe Greqinë. Sipas agjendës, sonte katër presidentët do të marrin pjesë edhe në hapjen e “Verës së Ohrit”, manifestimi më prestigjioz kulturor në vend i cili mbahet nën patronazhin e presidentit të shtetit.