Lajme Shqip Monday, 27 August 2012 14:18

Prishtinë – “Asnjëherë nuk është paraparë dorëheqja e presidentit të vendit dhe mua nuk më lejohet të jap dorëheqje, sepse kjo do të nënkuptonte procedurë tjetër të zgjedhjeve dhe ushtrues detyre të presidentit të vendit”, ka thënë presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga në një intervistë për radion Evropa e Lirë.

Në këtë intervistë presidentja  Jahjaga flet edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe mundësinë e fillimit të dialogut politik.  Presidentja thotë se në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, zakonisht dialogohet për të gjitha çështjet që janë në interes të të dyja shteteve, duke e shprehur me nënshkrimin e marrëveshjeve bilateral ndërkombëtare.

“Me dialog politik nënkuptoj vullnetin dhe gatishmërinë e shprehur midis dy shteteve për të zgjidhur dhe për të arritur marrëveshje për cilëndo çështje”, thotë presidentja Jahjaga, duke hedhur poshte mundësinë që veriu i Kosovës të jetë pjesë e bisedave. “Republika e Kosovës, asnjëherë dhe me askend, nuk do të bisedojë për asnjë pjesë të territorit tonë, pra për sovranitetin tonë.

Do të ketë dialog të brendshëm me qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre legjitim, do të ketë dialog edhe me qytetarët serbë në të trija komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës, siç ka edhe me qytetarët tjerë, në pjesët dhe komunat tjera, përfshirë edhe ato komuna që përbëhen nga shumica etnike serbe. Por, dialog të jashtëm, për çështje të brendshme të Republikës së Kosovës, as nuk ka dhe as nuk do të ketë”, është shprehur presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. (LajmeShqip.com)