Lajme Shqip Friday, 18 October 2013 11:41

Prishtinë- Mbi 845 milionë euro ka arritur shuma e premtimeve që lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Hashim Thaçi po i jep nëpër komuna të Kosovës, për investime kapitale, përgjatë dy javëve fushatë parazgjedhore.

Me këtë trend të premtimeve deri në përfundim të fushatës ai do të shterrë buxhetin prej 1.5 miliardë euro që ka Kosova. Të dhënat zyrtare të qeverisë, në krye të së cilës është ai vetë, tregojnë shifra të tjera të cilat dëshmojnë se kryeministri është duke manipuluar me votuesit potencialë.

Bazuar në linjat zyrtare buxhetore, i gjithë buxheti për investimet kapitale për të gjitha komunat e Kosovës është 126 milionë euro. Ndërsa premtimet e tij për 11 komuna kapin shumën prej 845 milionë euro, shkruan Zëri.

Gjatë hapjes së fushatës në Mitrovicë, lideri i PDK-së Hashim Thaçi ka premtuar se gjatë mandatit që vjen nëse i fiton zgjedhjet kandidati i partisë së tij Avni Kastrati do të investojë hiç më pak se 150 milionë euro, shumë kjo gati dhjetë herë më e madhe se shuma e investimeve që janë bërë gjatë mandatit katërvjeçar të kryetarit Kastrati.

Sipas raportit të buxhetit të Ministrisë së Financave (MF) shihet se buxheti për investime kapitale i kësaj komune për vitin 2013 ka qenë 3,8 milionë euro. Gjatë vitit 2014 do të jetë 3,9 milionë euro, si dhe gjatë vitit 2015 do të jetë 4 milionë euro.