Lajme Shqip Tuesday, 10 April 2012 18:37

Tiranë- “Motoja e qeverisë shqiptare është lufta me tolerance zero ndaj krimit”, u shpreh ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, në ceremoninë e orgnizuar sot në Akademinë e Policisë së Shtetit me rastin dhurimit të disa pajisjeve për forcat policore, por edhe të ushtrisë nga qeveria amerikane.

Ministri Nishani, duke shprehur mirënjohjen për ndihmën e vazhdueshme të qeverisë amerikane ndaj Shqiperisë dhe Policisë së Shtetit në veçanti, tha se “ndihma e dhuruar sot i shton një element të rëndësishëm kapaciteteve të infrastrukturës së hetimit dhe luftës ndaj krimit në Shqipëri”.

“Në ditët e sotme krimi i organizuar është një sfidë globale. Qasja, goditja, përballja e kësaj sfide kërkon krahas një niveli të lartë të profsionalizmit edhe një infrastrukturë moderne e të përparuar. Elemente të tillë që pasurojnë teknikat e hetimit, teknikat e menazhimit dhe drejtimit operacionl në terren për aktivitetet e Policisë së Shtetit do të jenë padyshim një standard i ri për të garantuar suksesin e mëtejshëm të këtyre forcave në përmbushjen e misonit të tyre”, tha Nishani.

I pranishëm në ceremoni ambasadori amerikan, Aleksander Arvizu, shprehu mbështetjen  për Shqipërinë dhe Policine e Shtetit. “SHBA do të vazhdojnë ndihmën dhe angazhimin e tyre për të çuar përpara profesionalizmin e Policisë së Shtetit”, tha ambasadori Arvizu. Qeveria amerikane,  nëpërmjet ambasadës amerikane në Tiranë, i dhuroi sot Policisë së Shtetit një mjet që shërben si një qendër komande e lëvizëshme për operacionet policore. (LajmeShqip.com)