Lajme Shqip Tuesday, 02 October 2012 14:11

Prishtinë – Janë tri kushte që i shumëkërkuari për disa vepra penale, Enver Sekiraqa ia ka vënë Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) para se ai të bjerë vullnetarisht në duart e organeve të rendit.

E para, Sekiraqa ka kërkuar nga ndërkombëtarët që t’i ofrojnë siguri dhe me këtë të jetë i pandehur i mbrojtur e jo në ndonjë cilësi tjetër.

Sekiraqa po ashtu ka kërkuar që t’i caktohet masa e paraburgimit dhe jo të qëndrojë në burgim. Sipas një dënimi të mëhershëm me të cilin ai është shpallur fajtor për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, për veprën penale të kanosjes si dhe për veprën penale të dhunimit.

E treta dhe më kryesorja, ka qenë kërkesë që Sekuraqës t’i sigurohet një gjykim nga ndërkombëtarët dhe jo nga vendorët për shkak se ai nuk beson në drejtësinë që e ndajnë gjykatësit vendorë dhe në atë që e hetojnë prokurorët e vendit.

Burime të gazetës brenda misionit kanë saktësuar se Enver Sekiraqa i ka bërë këto kërkesa duke pasur frikë nga policët vendorë e posaçërisht nga njësiti ROSU i Policisë së Kosovës me të cilët në vazhdimësi ka qenë në konflikt, e posaçërisht pas vrasjes së policit të mbrojtjes së afërt Triumf Riza. Si shtytës i kësaj vrasjeje pas shpine, është i dyshuar Enver Sekiraqa, i cili në ditën e vetëdorëzimit është marrë në pyetje për këtë vepër, por edhe për veprën penale të zhvatjes dhe atë të dhunimit. Pos nga policët, të njëjtat burime kanë saktësuar se Enver Sekiraqa nuk do të ndihej i sigurt sikur në burgun ku do të qëndrojë të ketë siguri vetëm nga vendorët.

“Në kohën kur Sekiraqa ka qenë në burgun e Lipjanit, aty është djegur qelia e tij, por ai pati shpëtuar e kur ka qenë në burgun e Mitrovicës në të njëjtin, ai thotë se i është hedhur helm dhe duke u bazuar nga e kaluara e tij në burgjet në Kosovë, ai ka kërkuar siguri nga misioni EULEX”, ka saktësuar një burim i gazetës i afërt me rastin. Enver Sekiraqa është vetëdorëzuar e më pas është arrestuar nga policë të EULEX-it të premten e javës së kaluar. Ai me duar të lira, nën shoqërinë e policëve të EULEX-it, por edhe të dy vendorëve, ka dalë nga shtëpia e tij të premten në mesditë.

“Ai ka qenë i bindur që të dorëzohet dhe të përballet me pafajësinë e tij. Që ai të dorëzohet nuk e kam shtyrë unë, por ai ka qenë i bindur dhe propozimi për dorëzim ka qenë i tij. Unë vetëm se kam shkuar me policët të premten në shtëpinë e tij ku edhe është dorëzuar klienti im”, thotë mbrojtësi i Enver Sekiraqës, avokati Bashkim Nevzati nga Prizreni.

Nuk i lidhen duart: Ai përshkruan se në atë ditë Sekiraqa ka qenë në shtëpinë e tij në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë i shoqëruar nga prindërit, dhe se largimi i tij nga shtëpia për në polici, është bërë me duar të lira. “Ishin kryesisht policë të EULEX-it, por me sa kuptova ishin edhe dy policë vendorë”, tregon avokati. Nevzati me klientin e tij është takuar vetëm dy herë. Takimi i parë iu kishte mbetur në gjysmë për shkak se ishte rrezikuar zënia e klientit të tij nga organet e rendit, ndërsa në takimin e dytë thotë se ka shkuar bashkë me policët, në ditën kur edhe është dorëzuar Enver Sekiraqa i kërkuar edhe përmes Interpolit.

Nevzati ka marrë pjesë edhe në intervistimin për orë të tëra që ka zgjatur në zyrën e një prokurori të EULEX-it. “Sekiraqa është vetëdorëzuar që të ballafaqohet me dyshimet që i vihen në barrë e për të cilat, ai ndihet plotësisht i pafajshëm. Tërësisht i pafajshëm është deklaruar edhe të premten kur është marrë në pyetje nga prokurori i EULEX-it në lidhje me vrasjen e policit Triumf Riza, në lidhje me veprën penale të zhvatjes dhe për veprën penale të dhunimit”, njofton avokati duke mos u lëshuar në deklaratën që ka dhënë Sekiraqa në prokurori.

Avokati shprehet i befasuar se si Enver Sekiraqa pavarësisht se është marrë në pyetje nga prokurori, nuk është dërguar për caktim të masës së paraburgimit tek gjyqtari i procedurës paraprake por i njëjti po mbahet në burgim sipas një dënimi të shqiptuar për dhunim, kanosje e pengim të personit zyrtar. Sekiraqa, sipas avokatit, është i dënuar me vendim të plotfuqishëm me dy vjet burgim, por i njëjti vendim, sipas tij, është pezulluar të ekzekutohet për shkak se ndaj dëshmitares që ka dëshmuar për dhunim, një prokurore e EULEX-it ka ngritur aktakuzë për dëshmi të rrejshme ndaj Enver Sekiraqës e Agron Bytyqit.

Ky i fundit është i dënuar me tri vite burgim dhe pavarësisht se nuk ka qenë në arrati, avokati qartëson se ai nuk ka shkuar në vuajtje të dënimit për shkak se ai vendim është i pezulluar. “Një veprim i tillë i EULEX-it që klientit tim të mos i caktohet paraburgimi nuk është konform marrëveshjes gojore që është arritur para se të bëhet vetëdorëzimi i tij për shkak se vendimi me të cilin ai është dënuar është i pezulluar”, ka thënë avokati Nevzati.

Pritet zbulimi i disa krimeve: EULEX-i, ndërkaq, insiston se ka vendim të plotfuqishëm sipas të cilit po mbahet në burgun e Dubravës, Enver Sekiraqa. Duke e anashkaluar veprën penale të dhunimit, zyrtarë të EULEX-it njoftojnë se Enver Sekiraqa po mbahet në burg si i dënuar për veprën penale të kërcënimit dhe atë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

“Siç kemi thënë edhe të premten, policia e EULEX ka arrestuar Enver Sekiraqën bazuar në një urdhërarrest nga shkurti i vitit 2008. Ai po hetohet për përfshirjen e tij të mundshme në vrasjen e Triumf Rizës. Ky hetim është në proces dhe në këtë kohë nuk mund të japim detaje tjera. Sekiraqës gjithashtu i duhet të vuajë dënimin prej dy vjetësh me burg për kërcënime dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare. Ky dënim nuk është pezulluar dhe Sekiraqa është duke e vuajtur atë në burgun e Dubravës”, ka njoftuar zëdhënësja e sektorit të drejtësisë në EULEX, Bardha Azari. 

Zyrtarë nga misioni EULEX bëjnë me dije se me Enver Sekiraqën kanë qenë në kontakt që nga nëntori i vitit 2011. Në tre muajt e fundit, sipas të njëjtave burime, Sekiraqa ka qenë në Prishtinë, por i fshehur nga policia. Që nga 2008-ta kur Enver Sekiraqa është arratisur, sipas këtyre burimeve, ai ka qëndruar në Irlandë, në Angli, në Çeki, në Beograd, por asnjëherë në pjesën veriore të Mitrovicës. Arsyet e arratisjes së tij dhe personat që e kanë shtyrë atë të arratiset, janë disa nga pyetjet, përgjigjet e të cilave Sekiraqa i ka dhënë para prokurorit ndërsa i njëjti sipas burimeve të gazetës, pritet që të japë dëshmi edhe në lidhje me “Grupin e Llapit” si dhe në lidhje me disa krime të tjera që kanë ngjarë në vend e për të cilat dyshohet se ai ka njohuri. (Zëri)