Lajme Shqip Thursday, 07 November 2013 21:50

Policia ka arrestuar ditën e  sotme drejtoreshën e Tatimeve Rajonale, Afërdita Hysa, pasi akuzohet për korrupsion. Gjithashtu është arrestuar edhe 1 punonjës tjetër i Drejtorisë së Tatimeve dhe janë shpallur në kërkim 7 persona të tjerë, 5 prej të cilëve punonjës të tatimeve dhe 2 përfaqësues biznesesh private.

Afërdita Hysa, ish-drejtore e Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë dhe Tahir Kuka, ish-inspektor i Procedurave të Rimbursimeve kanë rënë në prangat e policisë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masat e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Vjedhjes me pasoja të rënda” dhe “Pastrimit të Produkteve të veprës penale”. 

Të njëjtat masa janë caktuar edhe për shtatë persona të tjerë, për të cilët është bërë shpallja e kërkimit dhe po punohet për kapjen e tyre, përkatësisht:

Ismail Muça, i vitlindjes 1969, ish-drejtor i Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë;

Lauren Vata, i vitlindjes 1981, ish-përgjegjës i Sektorit të Kontrollit tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë;

Edmond Osmani, i vitlindjes 1979, ish-inspektor i Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë;

Gramos Milushi, i vitlindjes 1984, me detyrë Inspektor i Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë;

Kujtim Metaliaj, i vitlindjes 1960, ish-Inspektor i Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë;

Mirjan Beneja, i vitlindjes 1980, me aktivitet në sektorin privat;

Gjergji Tupe, i vitlindjes 1959, me aktivitet në sektorin privat.

Arrestimi i këtyre personave lidhet me procedurën e rimbursimit të TVSH-së, gjatë zbatimit të së cilës janë konstatuar veprime të dyshimta nga ana e disa shoqërive tregtare dhe konkretisht 11 prej tyre janë aktivizuar, shitur, kontrolluar dhe kanë përfituar rimbursimin duke kërkuar më pas çregjistrimin brenda një periudhe disa ditore. Të 11 shoqëritë e shitura janë blerë nga dy shtetasit shqiptarë, Mirjan Beneja dhe Gjergji Tupe.

Shoqëritë menjëherë sapo kanë marrë rimbursimin në vlera të mëdha kanë kërkuar çregjistrimin në organin tatimor rajonal si dhe shpalljen e falimentit pranë QKR-së. Si rezultat i këtyre veprimeve është shkaktuar një dëm rreth 515 milionë lekë të reja dhe në këtë veprimtari kriminale ka rezultuar të jenë përfshirë, edhe punonjës të administratës tatimore rajonale Tiranë si dhe dy ortakët e vetëm të shoqërive që kanë përfituar edhe rimbursimin e TVSH-së.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë bazuar në materialin kallëzues të depozituar nga Ministria e Financave, ka regjistruar procedimin penal për veprat penale të “Shpërdorimit te detyrës”, “Vjedhjes” me pasoja të rënda dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, të parashikuar nga nenet 248, 134/3 dhe 287 të Kodit Penal.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se një shtetas shqiptar, nëpërmjet disa prokurave të falsifikuara ka realizuar shitjen në Shqipëri të disa kompanive, të regjistruara nga shtetas të huaj. Nga këto, 6 kompani i ka blerë vetë dhe 5 të tjera, si i autorizuar nga kompanitë e huaja, ia ka shitur shtetasit tjetër. Këto kompani, pas blerjes, këta dy shtetas i kanë regjistruar në QKR.

Menjëherë pas blerjes së këtyre shoqërive, përfaqësuesit e rinj të tyre, pra dy shtetasit e pandehur, kanë bërë kërkesë për likuidimin e shoqërive pranë administratës tatimore Tiranë. Më pas, në përfundim të procedurave të likuidimit, sapo shoqëritë kanë marrë rimbursimin e TVSH-së kreditore të mbartur ndër vite nga shoqëritë e sipërpërmendura në vlera të mëdha, kanë kërkuar çregjistrimin në organin tatimor rajonal si dhe shpalljen e falimentit pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.

Të gjitha veprimet kanë ndodhur brenda periudhës qershor – tetor 2013. Bazuar në kërkesën për ç’regjistrim, organi tatimor rajonal ka kryer veprimet e likuidimit të detyrimeve dypalëshe, si rezultat i të cilave është dhënë edhe rimbursimi i TVSH-së si detyrim i organit tatimor ndaj shoqërive, duke shkelur procedurat ligjore dhe si rezultat i këtyre veprimeve, administratës tatimore i është shkaktuar një dëm prej 515,455,275 lekë të reja.

Nga verifikimet, krijohen dyshime të arsyeshme se janë konsumuar elementët e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, “vjedhjes” dhe “korrupsionit pasiv” nga ana e inspektorëve tatimorë që kanë kryer kontrollin për rimbursimin e TVSH-së në këto kompani, përgjegjësi i sektorit të kontrollit, drejtori i kontrollit, dhe drejtori i Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë./shekulli/