Lajme Shqip Sunday, 20 November 2011 13:14

Përfundimi i kilometrit të parë të tunelit të Kërrabës në segmentin Elbasan është shfrytëzuar nga Kryeministri Berisha për të bërë një inspektim të punimeve.

Por, gjatë fjalës dhe falenderimeve së rastit, Berishës i është dashur të përballet me një surprizë të pakëndshme. Ndërsa ka lavdëruar punën e kompanisë greke, Berisha mori si përgjigje kërkesën për bërjen e pagesës për punimet e kryera, pasi deri më tani ato ishin bërë me paratë e vetë kompanisë.

“Me që jeni ju dhe bankierët këtu, ne vijuam me punimet sipas afateve që kemi ju premtuam. Por, e gjithë kjo punë tani është bërë pa u paguar dhe pa marrë asnjë lek. E bëmë sepse ju kishim premtuar”, – tha Dimitris Koutras, Presidenti i kompanisë greke “Aktor”.

Menjëherë pas kësaj fjalie, ka ndërhyrë ministri i Punëve Publike dhe Transportit Sokol Olldashi, i cili pa mikrofon i tha Presidentit Koutras se paratë do t’i marin gjatë javës në vijim.

Ndërkaq, përballë kësaj situate, Berisha fajësoi procedurat e stërzgjatura bankare, të cilat kanë bërë që kompania të mos paguhet për punën e bërë. Kështu, Kryeministri iu drejtua përfaqësuesve të Bankës Islamike duke i kërkuar kryerjen sa më shpejtë të procedurave për disbursimin e parave. “Kënaqësia e firmës është kur shikon paratë dhe Dhimitri po prêt dhe ka bërë një punë shumë të mirë”, – tha Berisha.

Pas kësaj situate, Berisha vijoi duke akuzuar opozitën, e cila sipas tij ka dashur të pengojë ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.

“Një e katërta e punimeve në korridorin Tiranë-Elbasan përfundon në një hark kohor të shkurtër, por nuk mund të mos kujtoj këtu, një natë të gjatë në Parlamentin shqiptar, nata më e gjatë në karrierën time politike në Parlament, kur me përpjekjet më të jashtëzakonshme, ata të cilët përdorën pushtetin e tyre për të bllokuar statusin e vendit bënë gjithçka, deri në orën 5 të mëngjesit, për të bllokuar buxhetin për korridorin Tiranë-Elbasan”, – tha Berisha.

Është i pakuptueshëm fakti se si ka mundësi që kompania të mos ketë marrë paratë në një kohë kur marrëveshja e qeverisë shqiptare dhe Bankës Islamike për Zhvillim, e cila mori përsipër financimin e projektit është nënshkruar disa muaj më parë.

Kredia ishte në vlerën e 222.7 milionë dollarëve dhe parashikonte financimin e një pjesë të rrugës Tiranë-Elbasan përfshirë edhe tunelin e Kërrabës. Një shpjegim i kësaj situate është mos disbursimi i fondeve nga banka.

Kjo, edhe për faktin se qeveria nuk e kishte përfshirë në treguesit e borxhit kredinë në fjalë kur miratoi ndryshimet në buxhetin e këtij viti në muajin qershor, tre muaj pas arritjes së marrëveshjes me Bankën Islamike.