Lajme Shqip Monday, 18 April 2011 21:11

Pogradec – Policia e Pogradecit arrestoi sot në mbrëmje tre të rinj nga fshati Buçimas i Pogradecit, të cilët akuzohen se një ditë më parë vendosën tritol në dritaren e banesës së shtetases Rajmonda Syzo, drejtore e zyrës së tatim-taksave të Bashkisë së Pogradecit.
Burime zyrtare nga kjo polici bënë të ditur se u arrestuan shtetasit Dorian Hoxha, 20 vjeç, Enrik Xhambazi, 20 vjeç dhe Altin Jasharllari, 28 vjeç, të tre lindur dhe banues në fshatin Buçimas, në periferi të Pogradecit.     
Arrestimi i tyre u bë për shkak se ata, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vendosur dhe shpërthyer një kallëp tritol në dritaren e banesës së shtetases Rajmonda Syzo, nga shpërthimi i së cilës janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, por fatmirësisht pa dëmtime në njerëz, pasi në momentin e shpërthimit nuk ka patur njerëz në banesë.
Policia tha se i arrestuari Dorian Hoxha ka pranuar autorësinë e kësaj ngjarjeje, duke u justifikuar se ka patur vitin e kaluar një konflikt me djalin e Rajmonda Syzos, Brian Syzon, 20 vjeç.
Gjatë kontrollit që policia bëri në banesat e të arrestuarve u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6 copë kallëp tritoli nga 200 gram secili, 2500 fishekë kallshnikovi dhe 11.5 gr.kanabis sativa.