Lajme Shqip Monday, 28 March 2011 21:18

Prishtinë – Drejtori i EUROSTAT-it dhe kryesues i Operacionit Ndërkombëtar për Monitorim (International Monitoring Operation / IMO), Pieter Everaers, vleresoi sot Qeverinë e Kosovës dhe autoritetet e saj për angazhimin e tyre në procesin e regjistrimit të popullsisë, i parashikuar për të nisur në 1 prill.

Në kuadër të një vizite dyditore në Kosovë, zoti Everaers është takuar sot me krerë të lartë të shtetit, duke iu shprehur atyre kënaqësinë për vizitën e tij në Kosovë, pak kohë para fillimit të procesit të regjistrimit, pas një pune të gjatë të përbashkët të ekspertëve vendore dhe ndërkombëtare.

Zoti Evaraers është pritur në një takim te veçantë nga Kryeministri Hashim Thaçi, i cili i shprehu atij falenderimin për mbështetjen që EUROSTAT dhe donatorët ndërkombëtarë i kanë dhënë këtij procesi  të rëndësishëm.

Kryeministri Thaçi shprehu besimin për realizimin me sukses të procesit te regjistrimit duke deklaruar se, “janë bërë përgatitjet e nevojshme që regjistrimi të fillojë dhe të zhvillohet me sukses”.

Duke e quajtur projektin e regjistrimit si më të rëndësishmin pas shpalljes së pavarësisë së vendit, Kryeministri Thaçi shprehu interesimin e Qeverisë për pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve në këtë proces.

Zoti Everaers është pritur në një takim dhe nga ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, i cili e ka informuar me përgatitjet që janë bërë në mënyrë që regjistrimi i popullsisë të fillojë më 1 prill dhe të rezultojë i sukseshëm.

Ministri Mahir Yagcilar theksoi  faktin se tashmë ka përfunduar procesi i rekrutimit dhe trajnimit të stafit që do të jetë në terren gjate procesit të regjistrimit, si dhe është bërë shpërndarja e materialit.

Kryetari i Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë, Rifat Blaku, ka rikujtuar se është bërë punë e përbashkët për vite të tëra për të realizuar këtë regjistrim, që do të realizohet në Kosovë pas 30 vitesh.