Lajme Shqip Friday, 13 May 2011 15:47

Tiranë – Ministri për Inovacionin dhe Tekonologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, Genc Pollo dhe Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Zineb Touimi-Benjelloun, nënshkruan sot një projekt të ri, i cili do të mbështesë përparimin e projektit “Shqipëria Dixhitale”.

Duke folur gjatë ceremonisë, ministri Pollo tha se nënshkrimi i dokumentit të sotëm hap një periudhë të re bashkëpunimi shumë të vlefshme për Shqipërinë, për zhvillimin teknologjik, ekonomik dhe social të vendit.

“Qeveria shqiptare e ka kthyer zhvillimin e Teknologjisë së Informacionit e të Komunikimit (TIK) në një nga prioritetet e saj madhore dhe ka prezantuar projektin “Shqipëria Dixhitale”, si një iniciativë që do të përshpejtojë depërtimin e TIK-ut dhe përdorimin e tij në proceset e qeverisjes në Shqipëri”, tha Pollo.

Sipas tij, “arritja e objektivave të “Shqipërisë Dixhitale” kërkon reforma të tjera institucionale, investime të mëtejshme në infrastrukturë, përmirësim të legjislacionit, ngritjen e kapaciteteve, si dhe zbatim efektiv të këtyre politikave. Ndaj dhe Pollo vlerësoi se aksesi i gjerë në TIK, nga bizneset dhe qytetarët, duke përfshirë edhe zonat rurale, do të japë një kontribut strategjik për projektin.

Ndërsa Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara vuri në dukje mbështetjen teknike të PNUD-it, për ngritjen e një Rrjeti Broadband Kombëtar (National Broadband Netëork), që do të kontribuojë në përmirësimin e aftësisë konkurruese të Shqipërisë.

“Ky sistem do t’i sigurojë vendit një platformë ndërlidhëse, që do t’i ndihmojë shqiptarët të jenë aktorë aktivë në një shoqëri të mirëinformuar dhe do të ndihmojnë vendin të zhvillojë një ekonomi të mirëinformuar”, tha ajo.

Mbështetja në këtë drejtim do të shkojë edhe për ministritë e linjës dhe organet e qeverisjes vendore, për të rritur numrin e shërbimeve online për qytetarët si dhe për të siguruar ofrim më cilësor të shërbimeve publike.

Ky projekt është pjesë e programit “Një OKB” në Shqipëri, i financuar nga Fondi i Koherencës së Kombeve të Bashkuara.