Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 09:18

Tiranë – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, në një takim me strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër, kërkoi nga drejtuesit dhe punonjësit e policisë të vlerësojnë me rëndësinë e duhur çdo fazë të procesit të zgjedhjeve të 8 majit, duke u angazhuar maksimalisht për të siguruar zbatimin e ligjit dhe të Kodit Zgjedhor.

Zëdhënësja e Policisë së Shtetit, përmes një njoftimi për shtyp, bëri të ditur se Burgaj theksoi nevojën e trajnimit të çdo punonjësi policie që do të angazhohet me detyra gjatë procesit zgjedhor.

“Raportet e organizmave ndërkombëtare kanë vlerësuar qëndrimin e shkëlqyer të policisë në proceset elektorale të viteteve 2005, 2007 dhe 2009, prandaj kërkoj nga ju që të vlerësoni këtë proces trajnimi si kusht thelbësor për përmbushjen me sukses të misionit të Policisë në këto zgjedhje dhe ruajtjen e standardeve të arritura në performancën e Policisë së Shtetit në zgjedhjet e mëparshme”, u shpreh  Burgaj.

Në mënyrë të veçantë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, porositi punonjësit e policisë së këtij qarku që të respektojnë me korrektësi të gjitha aktet ligjore që ngarkojnë me detyra Policinë e Shtetit në kuadër të procesit zgjedhor.

“Përvoja mjaft pozitive e fituar ndër vite dhe angazhimi maksimal i çdonjërit prej punonjësve të policisë do të bëjë të mundur që Policia e Shtetit të përmbushë me sukses të gjitha detyrimet që ligji i ngarkon në kuadër të procesit zgjedhor”, theksoi Z.Burgaj në këtë takim.