Lajme Shqip Sunday, 31 July 2011 10:39

Tiranë – Strukturat e Policisë së Shtetit në Qarqet: Berat, Dibër, Elbasan, Korçë, Lezhë, Shkodër dhe Vlorë, në zbatim të detyrave institucionale që i ngarkon ligji në kuadër të procesit zgjedhor, vazhdojnë angazhimin maksimal në funksion të sigurimit të rendit e të qetësisë publike gjatë përsëritjes së zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore të datës 31 korrik 2011.

Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, me fillimin e punës nga Komisionet e Qendrave të Votimit dhe Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor, punonjësit e Policisë së Shtetit, sipas përcaktimeve të bëra në aktet normative, janë larguar nga objektet zgjedhore, të cilat ishin marrë në ruajtje gjatë natës së mbrëmshme, me përjashtim të qendrave të votimit në 2 komunat e Qarkut Shkodër (Komunat Shllak e Shalë), ku komisionerët nuk janë paraqitur akoma për shkak të largësisë.

Në kuadër të këtij procesi, sipas Policisë së Shetit, janë marrë në ruajtje në të gjithë vendin: 102 Qendra Votimi dhe 9 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor dhe VNV. Për ruajtjen e KZAZ-ve dhe Qendrave të Votimit, Policia e Shtetit angazhoi gjithsej 150 punonjës policie.

Gjatë ditës së sotme në zonat zgjedhore lëvizja e shërbimeve të policisë në zbatim të akteve normative do të bëhet me automjete policie të pajisura me shenjat dalluese të miratuara nga KQZ-ja dhe vendosja e forcave të policisë do të bëhet në ambientet e përcaktuara.

Ndërhyrja e forcave të policisë për rivendosjen e rregullit brenda Qendrës së Votimit, në çdo rast, do të bëhet me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit.

Gjatë natës së mbrëmshme nga shërbimet e policisë nuk janë evidentuar probleme që lidhen me përmbushjen e detyrave në kuadër të procesit zgjedhor.

Dorëzimi i objekteve zgjedhore të marra në ruajtje është bërë konform rregullave të përcaktuara dhe punonjësit e policisë tashmë janë larguar nga Qendrat e Votimit dhe KZAZ-të e janë vendosur në ambientet e përcaktuara. (me përjashtim të QV-ve në Komunat Shllak e Shalë).

Nga strukturat e Policisë së Shtetit janë zbatuar me korrektësi detyrat e përcaktuara në planin e masave për sa i përket marrjes në ruajtje të objekteve zgjedhore dhe dorëzimit të tyre me fillimin e punës nga Komisionet përkatëse.