Tiranë – Policia e Tiranës organizoi një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të pushtetit vendor për fshatrat e komunës së Farkës. Takimi është pjesë e fushatës antikanabis në këtë periudhë kur është koha biologjike e mbjelljes së bimëve narkotike.
Takimet vijnë në kuadër të një përvoje të suksesshme të viteve të mëparshme duke e nxjerrë Tiranën nga harta e kultivivusve të kanabisit.
Policia e Tiranës vijon takimet me përfaqësues të pushtetit lokal në Komunën e Farkës në kuadër të ndërgjegjësimit për fushatën antikanabis. Policia e Tiranës vjen në këtë takim me përvojën e suksesshme të takimeve të mëparshme, pasi rasti i fundit i identifikimit të vetëm 17 bimëve kanabis daton tre vjet më parë.
Në emër të drejtorisë së policisë së Tiranës, zëvendës drejtori i qarkut për rendin dhe sigurinë vlerësoi nivelin e arritur të bashkëpunimit mes komunitetit, pushtetit lokal të njësive të komunës së Farkës me uniformat blu.
Strategjia antikanabis drejtohet nga Prefekti i Tiranës, Keltis Kruja dhe përfshin njohjen dhe vendosjen e pikave të bashkëpunimit mes policisë dhe organeve të qeverisjes vendore të angazhuar në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike.