Lajme Shqip Friday, 18 October 2013 15:06

Tiranë- Tregtarët në uzinën “Dinamo” në kryeqytet janë përplasur sot me Policinë Bashkiake, e cila ka ndërhyrë për prishjen e një konstruksioni metalik brenda këtij tregu, i konsideruar si i paligjshëm nga ana e Bashkisë. Tregtarët kundërshtojnë prishjen e objektit, duke pretenduar se investimet e bëra në këtë treg janë të ligjshme. 

“S’i hyhet në Europë, duke na nxjerrë ne dhe të na hedhin në rrugë. Ne jemi me leje me licenca, jemi tregtarë të rregullt të këtij tregu. Kur ishin votimet thanë bëjeni, pastaj thonë është pa leje. Vetë thonë bëjeni, thonë hiqeni nuk merret vesh.”- shprehet një tregtare. 

Nga ana tjetër, kreu i Inspektoriatit Ndërtimor të Bashkisë së Tiranës, Florenc Hoxha deklaroi se tregtarët kanë kryer ndërtime në mënyrë të paligjshme, me prendimimin se po riparojnë strukturën e objektit. Zoti Hoxha u shpreh i vendosur se policia bashkiake do të ndërhyjë sot për prishjen e këtij konstruksioni. 

“Po ndërhyjmë për të bllokuar këtë ndërtim të paligjshëm. Kemi hasur në rezistencë, kemi kërkuar ndihmën e policisë së shtetit, e cila është e distancuar dhe nuk po na përkrah. Për bërjen e këtyre punimeve, asnjë prej këtyre tregtarëve nuk ka bërë aplikimin për leje. Këtë duhet ta bëjnë drejtuesit e tregut, askush nuk e ka bërë. Kanë marrë një rekomandim nga Ministria e Shëndetësisë për riparimin e kësaj strukture, por tregtarët nuk po e riparojnë, por kanë shtuar volumin”- deklaroi Hoxha. 

Situata është tensionuar së tepërmi, kur policia bashkiake ka nisur punën për prishjen e konstruksionit metalik, ndërsa tregtarët kanë ndërhyrë duke u përplasur fizikisht me efektivët e policisë. 

Në tregun tek Uzina “Dinamo” ka mbërritur rreth orës 15:00 zv/drejtori i Policisë së Tiranës, Pandi Sulla i cili ka ndërprerë aksionin e Policisë së Tiranës për prishjen e objektit, për të gjetur një konsensus mes drejtuesve të Policisë Bashkiake dhe tregtarëve. Zoti Sulla dhe kreu i INUK të Bashkisë Florenc Hoxha po bisedojnë jashtë kamerave për mundësinë e një marrëveshjeje. 

Kjo nuk është hera e parë që Policia Bashkiake përplaset me tregtarët e këtij tregu. Pak javë më parë Bashkia vendosi zhvendosjen e këtij tregu në hyrje të autostradës, për mungesë të kushteve higjieno-sanitare. Por tregtarët e kundërshtuan këtë vendim, duke bllokuar rrugën kryesore në afërsi të tregut. /BW/