Lajme Shqip Wednesday, 25 April 2012 17:48

Tiranë -Policia e Shtetit reagoi sot ndaj akuzave në media të ish-zyrtarit të policisë Shemsi Prençi për implikim të strukturave policore në veprimtari të kundraligjshme, duke i cilësuar ato si të paverteta. 

Në deklaratën e Policisë së Shtetit thuhet se,  “ndaj Drejtuesit të parë Shemsi Prençi, me datë 23.04.2012, nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është filluar ecuria disiplinore për shkelje të rënda disiplinore të kryera gjatë kryerjes së detyrës si Drejtor i Policisë së Qarkut Dibër. Nderkohe qe, ecuria disiplinore është filluar bazuar në Rregulloren e Disiplinës së Policisë së Shtetit, për “kryerje të veprimeve të pahijshme dhe shkelje të kompetencave të policisë”, parashikuar në nenin 11 të kësaj rregulloreje”.

Sipas Policisë së Shtetit,  nga të dhënat e grumbulluara në kuadër të këtij procesi disiplinor ka rezultuar se, duke qenë në detyrën e Drejtorit të policisë së Qarkut Dibër, Drejtues i parë Shemsi Prençi, ka kryer disa shkelje si ka fyer personelin e Komisariatit të Policisë Bulqizë, ka fyer me fjalë të rënda fyese një përfaqësues të Zyrës së Përmbarimit Mat, ka dhënë masa disiplinore për vartësit në mënyrë tendencioze, ka kryer lëvizje të personelit të pamotivuara dhe në kundërshtim me rregulloren e personelit të Policisë së Shtetit,  ka kryer veprime arbitrare në kundërshtim me ligjin bazuar kjo dhe në vendimet e Prokurorive të rrethit Gjyqësor Dibër dhe Mat, të cilat i kanë cilësuar të paligjshme veprimet e kryera nga strukturat e Policisë së Qarkut Dibër për sekuestrimin e kamionëve të ngarkuar me mineral kromi, veprime këto të urdhëruara prej tij në cilësinë e Drejtorit të Policisë së Qarkut.

Në deklaratën e Policisë së Shtetit thuhet gjithashtu se, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme me shkresë zyrtare drejtuar Policisë së Shtetit ka kërkuar pezullimin nga detyra të tij për mospengim të hetimeve, pasi ka filluar hetimet në ngarkim të tij nën akuzën e kryerjes së veprave penale të shpërdorimit të detyrës, veprimeve arbitrare dhe kallëzimit të rremë, duke kryer veprime arbitrare dhe shoqërime të paligjshme të personave e bllokuar mallrat e tyre, duke cenuar në këtë mënyrë të drejtat e tyre.  Nisur nga sa më sipër, me datë 24.04.2012, me propozim të Drejtorisë së Standardeve Profesionale ndaj Drejtues i Parë Shemsi Prençi është marrë masa e pezullimit nga detyra deri në përfundim të ecurisë disiplinore. (LajmeShqip)