Lajme Shqip Friday, 08 April 2011 15:04

Prishtinë – Në shenjë nderimi për punën që ka bërë në Policinë e Kosovës, presidentja e re e vendit, Atifete Jahjaga, është nderuar me mirënjohje dhe medalje nga ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Reshat Maliqi.

Ministri Rexhepi, duke e vlerësuar lart kontributin e Jahjagës derisa ishte në shërbim të Policisë së Kosovës, ka thënë se tani me zgjedhjen e saj në krye të vendit, Kosova ka mundësi që të ketë sa më shumë njohje dhe se të gjithë ndihen krenarë për një presidente të vetme në rajon.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, ka thënë se institucioni që ai drejton ndihet i nderuar që një punëtore e saj e merr detyrën e kreut të vendit dhe se ajo si presidente do të ndihmojë në fuqizimin e sundimit të ligjit.

Nga ana e saj, presidentja Jahjaga ka falënderuar Policinë e Kosovës për kontributin e dhënë bashkërisht dhe ka premtuar se do të vazhdojë të punojë në rrugën e sundimit të ligjit.

Pas zgjedhjes në postin e kreut të vendit, Atifete Jahjaga ka dhënë dorëheqje nga funksioni i zëvendësdrejtores së Përgjithshme për operativë në Policinë e Kosovës.