Lajme Shqip Monday, 25 April 2011 17:21

Pogradec – Policia e Pogradecit ka arrestuar sot në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Thanës, dy persona që ishin larguar nga burgu në vitin 1997.

Burime zyrtare të policisë bënë të ditur se u arrestuan shtetasit, Shefqet Vreto, 60 vjeç, lindur në qytetin e Bilishtit dhe banues i përkohshëm në qytetin e Selenikut, Greqi dhe Manushaqe Elezi, 56 vjeçe, lindur në fshatin Dragot të rrethit të Elbasanit dhe banuese e përkohshme po në qytetin e Selenikut, Greqi.

Arrestimi i tyre u bë pasi në vitin 1989, në qytetin e Elbasanit, të dy në bashkëpunim, kishin vrarë bashkëshortin e Manushaqe Elezit dhe për këtë krim ishin dënuar nga gjykata e rrethit të Elbasanit në vitin 1990, përkatësisht me nga 25 dhe 20 vjet burgim.

Në trazirat e marsit të vitit 1997, të dy këta persona ishin larguar nga burgu i Peqinit ku ishin duke vuajtur dënimin. Deri tani ata kishin jetuar si emigrantë me dokumenta të fallsifikuara në qytetin e Selenikut, Greqi. Që nga koha e largimit të dy këta persona ishin shpallur në kërkim nga Prokuroria e Rrethit të Elbasanit.