Lajme Shqip Wednesday, 30 March 2011 15:35

Pogradec – Aleanca Kuq e Zi, e cila vazhdon mbledhjen e nënshkrimeve për peticionin me anën e të cilit, do të kërkojë në Kuvend abrogimin e ligjit të gjendjes civile dhe regjistrimit të popullsisë me vetëdeklarim mbi baza etnike dhe fetare, u ndal të mërkurën në qytetin e Pogradecit.

“Regjistrimi mbi baza etnike dhe fetare pa dokumenta nga regjistri themeltar i gjendjes civile i kërkuar nga fqinji ynë Greqia, synon që të ndryshojë identitetin e shqiptarëve në grekë, që nga Korça dhe Vlora dhe deri në jug, me qëllim që grekët më pas të kërkojnë hapjen e shkollave greke në gjithë teritorin e jugut të vendit, dygjuhësinë dhe më vonë të kërkojnë shpalljen krahinë autonome të këtij territori dhe bashkimin me Greqinë”, tha drejtori i Qendrës për Kulturë Demokratike, Nuri Dragoni, në takimin e organizuar në sallën e teatrit të këtij qyteti.

Përfaqësuesi i Aleancës Kuq e Zi, Endri Shabani, tha se “Synimi i Aleancës kuq e Zi nuk është vetëm mbledhja e 20 mijë nënshkrimeve për ndryshimin e ligjit që lejon manipulimin e kombësisë dhe besimit fetar, por sensibilizimi i gjithë popullit shqiptar për t’i thënë “jo” manipulimit me vetdeklarim”.

Sipas tij, të regjistrohesh me vetdeklarim është njëlloj si të kërkosh një pasaportë pa dokumentin e regjistrit të gjendjes civile dhe t’ shkruash të dhënat si të dush. “Kjo gjë synon të ndryshjë shtetin etnik shqiptar dhe prish harmoninë fetare që ka ekzistuar dhe ekziston në Shqipëri”, tha ai.

Studiuesi progadecar, Gjergji Gusho evidentoi faktin se grekët për 20 vjet rresht u kanë ndryshuar emrat dhe besimin fetar 500 mijë emigrantëve shqiptarë dhe tani kërkojnë regjistrim me vetëdeklarim me qëllim manipulimin e kombësisë dhe fesë së tyre.