Lajme Shqip Sunday, 01 April 2012 11:41

Arrestimi i dy policëve kosovarë nga ana e xhandarmërisë së Serbisë ka nxitur reagimin edhe të qytetarëve të Podujevës, të cilët janë revoltuar me këtë veprim të Serbisë.

Madje, me arrestimin e tyre është përkeqësuar edhe më shumë situata e sigurisë përgjatë brezit kufitar me Serbinë, thonë banorë nga përreth zonës kufitare dhe zyrtarë të kësaj ane.

Të shqetësuar me një veprim të tillë të Serbisë janë shprehur edhe kolegët e dy policëve të arrestuar.

“Me ndihmën e EULEX-it jemi duke pritur ndonjë lajm për lirimin e kolegëve tanë gjatë ditës së sotme. Me xhandarmërinë serbe i kemi zhvilluar kontaktet e para pas arrestimit të tyre, të cilat nuk kanë mundur të rezultojnë me ndonjë sukses, pasi tash gjendja është në duart e të mëdhenjve”, kanë deklaruar zyrtarët e Policisë së Kosovës në Merdar, të cilët nuk preferojnë të flasim në detaje për arrestimin e dy policëve të Kosovës, Shukri Bunjaku e Sami Beqiri.

Arrestimi i tyre ka ndodhur të shtunën në orën 10 e 30 minuta në rajonin e Merdarit, ose më saktë në territorin e Kosovës e jo të Serbisë, siç pretendon ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq. Sipas tij “policët e Kosovës kanë qenë të armatosur me pushkë automatike, revole dhe aparaturë speciale për matjen e largësisë”.

Mirëpo, sipas burimeve të gazetës “Zëri”, nga vendi i ngjarjes policët shqiptarë janë arrestuar në fshatin Dumnicë të Podujevës në një pyll të këtij fshati derisa po bënin një patrullim rutinor të kufirit.

“Ngjarja ka ndodhur në fshatin Dumnicë, e jo siç ka deklaruar ministri i Serbisë, Daçiç, kinse policët kosovarë kanë qenë në territorin e Serbisë”, ka thënë ai.

Megjithatë, ky veprim i xhandarmërisë serbe, sipas eksprtëve të sigurisë, ka qenë i pritshëm.

Sipas ekspertit për çështje të sigurisë Avni Islamit, veprimet policore të Serbisë kanë qenë të pritura pas kërcënimeve Beogradit për arrestime tjera hakëmarrse. Në këtë rast, sipas tij, Policia e Kosovës e ka neglizhuar situatën dhe ka rënë para një akti të kryer e të turpshëm.

Arrestimi i tyre ka shkaktuar revoltë të thellë edhe te qytetarët llapjanë, të cilët kërkojnë largimin e xhandarmërisë dhe ushtrisë serbe për disa kilometra nga zona kufitare e Kosovës. Xhandarmëria dhe policia serbe gjithmonë kanë paraqitur rrezik për banorët shqiptarë që jetojnë përgjatë brezit kufitar, për faktin se ata mund të hyjnë në territorin e Kosovës kur të duan dhe të arrestojnë kë të duan.

“Policët shqiptarë janë arrestuar në mbrojtje të kufirit dhe të popullatës nga krimet e mundshme serbe”, ka thënë Bashkim Jaholli nga Dumnica, ku janë arrestuar policët shqiptarë.

Në këtë fshat arrestime nga ushtria dhe policia serbe ka pasur edhe më herët. Para disa viteve në këtë fshat ishin arrestuar nga ushtria serbe 8 shqiptarë derisa po ktheheshin nga mali me dy traktorë dru.

Kurse në verën e vitit të kaluar janë arrestuar po ashtu 2 të rinj në fshatin Përpëllac derisa kishin dalë për të shëtitur. Të gjitha arrestimet kanë ndodhur në territorin e Kosovës e jo të Serbisë, siç pretendojnë strukturat shtetërore serbe.

Qytetarët llapjanë që kanë jetuar në fshatrat përgjatë brezit kufitar me Serbinë, gjithmonë e kanë pasur jetën e pasigurt që nga përfundimi i luftës dhe shumica e tyre i kanë braktisur vatrat e tyre në periudhën e pasluftës.

Disa fshatra kufitare tashmë kanë mbetur pa asnjë banor, të cilët tash hallin më të madh e kanë që nuk kanë siguri për t’i punuar pronat e tyre.