Lajme Shqip Tuesday, 08 October 2013 21:28

Tiranë- Kryeministri Edi Rama, pas mbledhjes me Këshillin Kombëtar të Territorit dha një konferencë për shtyp. Pasi theksoi barbarinë që i është bërë territorit në këto njëzet vitet e fundit, me dëme edhe të parikuperueshme, Rama theksoi se “jemi në kohë për ta ndalur këtë rrënim, që kjo inerci të vazhdojë e të prekë e shkatërrojë si një kancer pjesën tjetër të organizmit tonë”. Rama bëri të ditur se Berati, Gjirokastra dhe Kruja muzeale do të merren në mbrojtje nga qeveria dhe në to nuk do të bëhet më asnjë ndërtim. KKT konfirmoi sot nëpërmjet Ramës se i hap rrugën përfundimisht ndërtimit të Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, por ka anuluar ndërtimin e godinës polifunksionale, raporton vec tjerash, Shqiptarja.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama tha se, “gjatë gjithë periudhës së tranzicionit ka pasur zhvillime urbane shumë të konsiderueshme dhe një pjesë e rëndësishme e këtyre zhvillimeve ka qenë të lidhura me lëvizje të mëdha demografike sikurse edhe me procese që herë me leje, herë pa leje janë zhvilluar nën një rrjedhë që duhet të ndërpritet”.

“Një nga pikat kyçe të zhvillmit tonë strategjik dhe afatgjatë janë të shumëllojshme. Kemi ndotje e konsiderueshme lumenjve, lagunave, ujërave të bregut, mbetje të ngurta të pakontrolluara, shkarkime të konsiderueshme në lumenj apo dhe direkt në det në segemente të rëndësishme, shkurtime të furnizmit me ujë për shkak të ndërhyrjeve në rrjet, ndërhyrje në diga, që kanë ndryshuar rrjedhën dhe volumin, shpyllëzime të jashtëzakoshme për përmasën e gjelbër të Shqipërisë, shkaktuar nga zjarre dhe në kullota që ndikojnë në cilësinë e tokës”. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se, si “rrjedhojë e një urbanizimi të shpejtë, të pakontrolluar dhe kaotik, kemi pasoja si: humbjen e biodiversitetit, gjueti me peshkim të paligjshëm, tejkalim në përdorimin e burimeve ujore, nxjerrje të pakontrolluar. Ndërtimet e paligjshme sollën pasoja, sepse janë bërë në mënyrë barbare”, analizoi Rama.