Lajme Shqip Wednesday, 25 September 2013 10:45

Dy të rinj nga fshati Derviçan të Gjirokastrës kanë mbetur të plagosur nga plumba qorr pas të shtënave nga fshati ‘rebel’, Lazarati.

Mesohet se të plagosur kanë mbetur Spiro Kolla 15 vjeç dhe Fotaq Ksera, nip i ish-Ministrit Spiro Ksera. Mësohet se të dy djemtë pasi kanë marrë mjekimin ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Sipas policisë, të shtënat me armë janë bërë nga banorë të Lazaratit. Lazaratasit qëllojnë me armë shpesh dhe e ndjekin këtë praktikë me qëllim, mbrojtjen e plantacioneve me kanabis në territoret e tyre.

Dy adoleshentët kanë qenë së bashku në momentin që janë plagosur nga plumbat qorr ndërsa kanë shpëtuar për mrekulli sepse plumbat i kanë kapur shkarazi dhe fatmirësisht nuk u kanë prekur organet jetësore.

Por të qetë nuk janë banorët e Derviçanit, fshat që ndodhet vetëm 5 km larg Lazaratit. Ata kanë protestuar sot në mbrëmje për situatën ku ndodhen familjet e tyre. Sipas banorëve, plumbat e lazaratasve po u kërcënojnë jetën cdo ditë.

Mësohet se gjatë kohës së protestës, nga Lazarati vijonin të shtënat me armë.

Kjo nuk është hera e parë që persona mbeten të plagosur për shkak të plumbave qorr që vijnë nga fshati rebel. Në muajin gusht mbeti e plagosur një vajzë 26 vjeç, banore e lagjes ‘Zinxhir’ nga qyteti i Gjirokastrës.

Fakti se Lazarati vazhdon të jetë i padepërtueshëm nga policia vjen, me sa duket, prej faktit se banorët thuajse të gjithë janë të armatosur. Dyshohet se persona të armatosur, të pozicionuar nëpër male si roje, vëzhgojnë çdo lëvizje mjetesh apo personash që hyjnë në fshatin e tyre dhe atëherë kur pikasin forca policie, nuk mungojnë dhe të shtënat me armë zjarri./BW/