Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 10:21

Prishtinë – Drejtuesi i rrjetit të qendrave të Lëvizjës Vetëvendosje, Dardan Molliqaj nuk e ka bërë të qartë nëse kjo lëvizje mbështet ose jo kërkesën e degës së Vetëvendosjes në Besianë, për kandidaturën e Adem Demaçit për president.

Molliqaj i cili është edhe anëtar i udhëheqjes qendrore, ka thënë se vendimi i njërës prej pikave të Vetëvendosjes është vetëm propozim i njërës nga 28 qendrat sa ka gjithsej kjo lëvizje.

Ai ka sqaruar se Vetëvendosja nuk mund të ketë kandidaturë për shkak se i ka vetëm 14 ulëse në Kuvendin e Kosovës, e kur dihet qartë se për të propozuar kandidatin për president duhen shumë më shumë ulëse.

Ai ka vlerësuar se shumë më e rëndësishme se sa përzgjedhja e emrave për president, është përzgjedhja e çështjeve për të cilat duhet të gjindet një zgjidhje.

Duke hedhur kritika në adres të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, si një ndër fajtorët kryesorë për gjendjen e rëndë ekonomike, sociale dhe politike në vend, Molliqaj ka theksuar se zgjidhja e këtyre problemeve nuk mund të gjindet përmes emrave të caktuar, por përmes politika të caktuara.

Molliqaj po ashtu ka bërë të ditur se shefi i zyrës civile në Kosovë ICO, Piter Feit nuk ka pasur asnjë diskutim më drejtues të Lëvizjes “Vetëvendosje” sa i përket çështjes se presedentit.

Më tej, ai ka thënë se pjesëmarrja ose bojkotimi i seancës kur do të votohet për presidentin e Kosovës varet nga ajo se kush do të jetë kandidati dhe cilat janë politikat publike të atij personi i cili dëshiron të kandidoj për president.

#############################

 

Prishtinë – Këshilli i Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, në takimin e së dielës me përfaqësues të pikave në terren të kryesuar nga Ali Lahu, për president të vendit ka propozuar veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Ky propozim ka dalë nga kjo parti pas situatës së krijuar në Kosovë, transmeton gazeta “Zëri”.

Me qëllim që vendi të dalë sa më parë nga kriza institucionale e krijuar nga kryeneçësia e “fitueseve te zgjedhjeve” dhe indolenca e partive opozitare, u kërkua që në krye të shtetit të vijë një personalitet konsensual dhe i përshtatshëm për të gjithë, i cili do të përfaqësonte unitetin e popullit dhe do gëzonte përkrahjen e shumicës së deputetëve të Parlamentit të Kosovës.

Andaj nga ky takim doli ideja se njeriu më i qëlluar për këtë pozitë në këtë moment është veprimtari i shquar i çështjes kombëtare Adem Demaçi.

Këshilli i Lëvizjes Vetëvendosje dhe përfaqësuesit e pikave nga terreni mendojnë se ky propozim duhet të merret seriozisht dhe Grupet Parlamentare në Kuvendin e Kosovës ta përkrahin atë në mënyrë që ta nxjerrin vendin nga kjo katandisje institucionale në të cilën ndodhet sot vendi.

Veç kësaj, zgjedhja në këtë pozitë e Demaçit do te kthente dinjitetin e nëpërkëmbur të institucioneve të Kosovës dhe do të faktorizonte korpusin politik shqiptar.

Po ashtu, sipas Vetëvendosjes në Podujevë, zgjedhja e Adem Demaçit për president të vendit do ishte një njohje e kontributit të tij nga elita politike dhe intelektuale për bëmat e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.