Lajme Shqip Thursday, 28 April 2011 10:49

Vlorë – Policia e Vlorës sqaroi se “shkaqet e shpërthimit të automjetit në qendër të qytetit bregdetar, paraditen e sotme, kanë qenë për motive hakmarrje dhe jo elektorale”.

Policia e Vlorës bëri publike zyrtarisht shkaqet e ngjarjes së ndodhur  rreth orës 11.15 minuta në këtë qytet, ku si pasojë e shpërthimit të një sasie lënde eksplozive në një automjet, humbi jetën shtetasi Renato Abazi ndërsa u dëmtuan tre të tjerë.

Në komunikatën zyrtare të Policisë thuhet se, “nga hetimet e deritanishme rezulton se ngjarja ka ardhur si rrjedhojë e një hakmarrjeje të mundshme për veprimtarinë e shtetasit Renato Abazi dhe nuk ka lidhje me procesin zgjedhor”.

Nga shpërthimi me lëndë plasëse, është dëmtuar mjeti “Opel Corsa”, me targa të huaja Ax 646 DT, me drejtues shtetasin Renato Abazi, i cili ka humbur jetën, ndërsa  ka mbetur i dëmtuar rëndë shtetasi Maringlen Dani dhe  kanë marrë plagë të lehta shtetasit Gerti S. dhe Galitano Z., të cilët janë dërguar për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore pranë Spitalit Rajonal Vlorë.

 

##########################

Vlorë – Një i vdekur dhe tre të plagosur, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë dhe kritike për jetën, është bilanci i shpërthimit të një autoveture që ndodhi sot në qytetin e Vlorës.

Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se “nga shpërthimi i autoveturës që ndodhi rreth orës 11.15 minuta, humbi jetën shtetasi Renato Abazi, ndërkohë që u plagosën edhe tre të tjerë, dy prej të cilëve kalimtarë të rastit. Në momentet e shpërthimit, autovetura e llojit “Opel Corsa” me ngjyrë të bardhë me targa të huaja, gjendej në afërsi të vendit të emërtuar “Kulaçi”, në zonën e Skelës, një prej mjediseve më të populluara në Vlorë. Paraprakisht mendohet se gjithçka ka ardhur si pasojë e vendosjes së një sasie lënde eksplozive”.

Për momentin policia nuk deklaron shkaqet e kësaj ngjarjeje, ndërkohë që ekspertët janë ende në vendin ku ndodhi shpërthimi ku po kryejnë procedurat hetimore. Nuk përjashtohet mundësia që motivet të kenë në bazë hakmarrjen.