Lajme Shqip Wednesday, 30 March 2011 15:12

Tiranë – “Anëtarësimi në Bashkimin Europian është dhe mbetet projekti më madhor i këtij shekulli për Shqipërinë”, tha sot Kryeministri Sali Berisha, ndërsa konfirmoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të punuar me të gjitha forcat për përmbushjen e të gjitha kritereve, kërkesave dhe standardeve që kërkon ky proces.

Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kryeministri Berisha priti sot në një takim Komisionerin e BE-së për Zgjerimin, Stefan Fule, i cili ndodhet në Tiranë me rastin e Seminarit të përbashkët Shqipëri-KE për Planin e Veprimit që institucionet shqiptare kanë përgatitur në vijim të 12 rekomandimeve të ardhura pas Opinionit të KE-së.

Kryeministri Berisha e falënderoi Komisionerin Fule për mbështetjen që Komisioni Europian i ka dhënë e po i jep qeverisë shqiptare dhe Shqipërisë në përpjekjet për të ecur përpara me shpejtësi drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.

Kryeministri vlerësoi se edhe Seminari që po zhvillohet këto dy ditë në Tiranë mbi Planin e Veprimit është një rikonfirmim i qartë i kësaj mbështetje.

Kryeministri Berisha e falënderoi Komisionerin Fule dhe bashkëpunëtorët e tij për bashkëpunimin proaktiv të tyre për të ndihmuar Shqipërinë në realizimin e të gjitha kërkesave të këtij procesi. Ai rikonfirmoi se qeveria shqiptare do të vijojë të mbetet e hapur dhe e vendosur për të bashkëpunuar ngushtësisht me Komisionin Evropian dhe të gjitha institucionet e BE-së për adresimin e 12 rekomandimeve dhe të gjitha çështjeve të tjera të lidhura me procesin e integrimit, në çdo forum apo nëpërmjet çdo instrumenti bashkëpunimi të përcaktuar bashkarisht.

Nga ana e tij, Komisioneri Fule vlerësoi mbështetjen dhe angazhimin aktiv të qeverisë shqiptare për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e Seminarit në shërbim të përmbushjes së 12 rekomandimeve, si një shenjë e qartë e angazhimit të qeverisë në këtë proces.

Komisioneri Fule i ripohoi Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Komisionit Evropian për realizimin e të gjitha reformave që kërkon anëtarësimi i shpejtë i Shqipërisë në BE.

Në takim u diskutua që Seminari i sotëm të pasohet nga konsultime dhe evenimente të tjera kontakti midis Shqipërisë dhe BE-së me qëllim ndjekjen dhe realizimin e prioriteteve të përcaktuara nga komisioni në Opinionin e tij.

Seminari do të konkludojë në një sërë masash afatshkurtra e afatmesme për përmbushjen e të 12 kërkesave të Opinionit dhe kërkesave të tjera të lidhura me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në takim u diskutua gjithashtu edhe mbi zgjedhjet vendore të 8 majit, si dhe rëndësinë që ato kanë për ecurinë e mëtejshme në rrugën e integrimit të Shqipërisë.

Kryeministri i rikonfirmoi Komisionerit Fule angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për një proces tërësisht transparent dhe për të bërë çdo përpjekje për realizimin e zgjedhjeve më të mira konform standardeve ndërkombëtare. Kryeministri uroi që edhe opozita të shprehë të njëjtin nivel vullneti politik pozitiv në procesin zgjedhor.

 

*************************************************

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti sot Komisionerin e BE-së për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Stefan Fule, i cili po viziton sot Tiranën.

Kreu i shtetit, pasi vlerësoi lart kontributin personal të Komisionerit Fyle si dhe bashkëpunimin e mbështetjen e vazhdueshme që BE i jep vendit tonë, theksoi se “Shqipëria do të dijë të plotësojë kushtet dhe detyrimet e kërkuara për anëtarësimin në familjen evropiane dhe se do të gjejë vullnetin e duhur për të përmbushur standardet e kërkuara, si tregues të angazhimit të pandërprerë jo vetëm të institucioneve të shtetit, por dhe të qytetarëve shqiptarë, të cilët aspirojnë integrimin evropian”.

Pasi bëri një përshkrim të situatës më të fundit politike në vend, kryesisht lidhur me zgjedhjet e afërta vendore, Presidenti Topi ritheksoi qëndrimin se dialogu konstruktiv dhe me tone të qeta mes palëve është garanti i stabilitetit dhe i funksionimit të drejtë të shtetit ligjor dhe institucioneve të pavarura të tij.

Në këtë kuadër, Kreu i shtetit shprehu besimin se “me vullnetin e duhur të partive politike dhe angazhimin serioz të tyre, duhet të ekzistojnë të gjitha mundësitë që zgjedhjet vendore të 8 majit 2011 të realizohen me sukses të plotë, që të jenë të drejta, korrekte dhe sipas standardeve demokratike evropiane, dhe në të mirë të vendit dhe qytetarëve shqiptarë”.

Komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Stefan Fule, theksoi se për përmbushjen e duhur të standardeve për integrim evropian, para së gjithash, duhet të rivendoset dialogu institucional për kapërcimin e ngërçit politik dhe rikthimin e besimit mes palëve, të respektohet Kushtetuta, shteti i së drejtës dhe pavarësia e institucioneve të pavarura që të ushtrojnë detyrat e tyre kushtetuese.

Komisioneri për Zgjerimin në BE po viziton sot Shqipërinë, në kuadër të një seminari të organizuar për të marrë mendimin e KE-së mbi Planin e Veprimit të përgatitur nga Qeveria shqiptare lidhur me prioritetet kyçe të Opinionit.