Lajme Shqip Tuesday, 22 March 2011 10:38

Tiranë – Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian në vendin tonë Drejtorin Ekzekutiv të Shërbimit të Jashtëm, zotin Miroslav Lajçak dhe delegacionin zyrtar që e shoqëron në këtë vizitë të tretë radhazi në Tiranë.

Kryetari i Shtetit shqiptar, pasi shprehu mirënjohjen për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për thellimin e demokratizimit të vendit dhe konsolidimit të institucioneve të pavarura kushtetuese, vuri në dukje domosdoshmërinë e përgatitjes sa më të mirë të procesit dhe infrastrukturës për zgjedhjet vendore të 8 majit.

Të dy bashkëbiseduesit në këtë takim u fokusuan në situatën politike të krijuar së fundmi në vendin tonë duke nënvizuar nevojën dhe rëndësinë e gjetjes sa më të shpejtë të dialogut konstruktiv institucional mes forcave politike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të pushtetit vendor në mënyrë që ato të jenë sa më demokratike, të drejta, korrekte, sipas standardeve dhe që rezultatet të pranohen nga të gjitha palët.

Kreu i Shtetit shqiptar përsëriti qëndrimin e tij të palëkundur për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme vendore, të dekretuara për t’u mbajtur më 8 maj 2011, sipas të gjitha afateve kushtetuese dhe ligjore.

I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian në vendin tonë, Drejtori Ekzekutiv i Shërbimit të Jashtëm, zoti Miroslav Lajçak ndau të njëjtin mendim lidhur me përgatitjen dhe zhvillimin e suksesshëm, sipas standardeve dhe afateve kushtetuese dhe ligjore të zgjedhjeve vendore të 8 majit duke nënvizuar domosdoshmërinë që faktorët politikë shqiptarë të përgatisin së bashku e të realizojnë me sukses zgjedhjet vendore të lira, të drejta e demokratike. Zoti Lajçak theksoi gjithashtu se respektimi i institucioneve të shtetit, i zgjedhjeve dhe pranimi i rezultateve është shprehje e demokracisë dhe e ekuilibrit, me një rëndësi të jashtëzakonshme për demokracinë aktuale dhe të ardhmen europiane të vendit dhe mbarë popullit shqiptar.

Tiranë – Në Tiranë pritet të mbërrijë sot, për të tretën herë brenda pak kohësh, i dërguari i posaçëm i BE për krizën politike në Shqipëri, Mirosllav Lajçak.

Me të mbërritur në kryeqytetin shqiptar, Lajçak do të takohet me presidentin Bamir Topi dhe më pas me kryeministrin Berisha dhe liderin e opozitës Edi Rama.

Sipas informacioneve të fundit, zyrtari evropian dhe ata shqiptarë do të diskutojnë për situatën politike në vend, në prag të zgjedhjeve lokale të 8 majit.

Gjatë vizitave të fundit, Lajçak kërkoi që forcat politike të punonin në funksion të përgatitjes dhe realizimit sa më të mirë të zgjedhjeve të 8 majit në Shqipëri.