Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 15:44

Prishtinë – Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka dhënë sqarime shtesë në lidhje me vendimin për shfuqizimin e procedurave të zgjedhjes së presidentit, të cilat u konsideruan si jokushtetuese.

Në vendimin që përmban sqarime për pyetjet e parashtruara nga kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe Behxhet Pacolli, Gjykata vëren se vendimi i saj për të shfuqizuar mandatin e presidentit ka hyrë në fuqi më 31 mars.

Nga kjo datë, thuhet se Kosova ka ushtrues detyre të presidentit, por nuk sqaron se cili është ai. Gjithnjë duke iu përgjigjur pyetjeve, Gjykata ka sqaruar se vendi nuk shkon në zgjedhje të parakohshme, nuk ka nevojë të zhbëhet Kuvendi dhe se vendi nuk është në vakuum institucional.

Ndërkaq, në pyetjen e parashtruar nga qeveria nëse është detyrim kushtetues prania e 2 të tretave të deputetëve në sallë, në rundin e parë dhe të dytë të zgjedhjes së presidentit dhe nëse mund të shkohet direkt në rundin e tretë, po që se nuk janë 80 deputetë të pranishëm, Gjykata është përgjigjur:

“…Gjykata rikujton që qëllimi i këtij sqarimi është ta sqarojë Aktgjykimin dhe nuk ka autoritet për të dalë jashtë objektit të çështjes së Kërkesës. Prandaj, situatat hipotetike, siç janë përmendur në letrën e kryeministrit, janë jashtë kufirit të objektit të çështjes dhe mund të jenë bazë për një rast të ri”, thuhet në sqarimin e Gjykatës Kushtetuese.

*********

Prishtinë – Gjykata Kushtetuese e republikës së Kosovës është deklaruar rreth pyetësorit të Qeverisë së Kosovës, nëse deputetët e Kuvendit e kanë ose jo obligim kushtetues të qëndrojnë në seancë, kur të votohet për presidentin.

Në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese, siç bëjnë të ditur mediat e Kosovës, thuhet se në mungesë të 2/3 të deputetëve në Kuvend, presidenti mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë, respektivisht me votat e 61 deputetëve, nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës.