Lajme Shqip Saturday, 20 October 2012 13:12

TIRANË (PLOTESUAR 20 TETOR, 18:00) Ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të LSI-së. Kryetari i Komisionit Zgjedhor në LSI, Ylli Manjani, bëri të ditur se pjesëmarrja në votime ka qenë e jashtëzakonshme, ndërsa tashmë ka nisur procesi i numërimit të votave. Sipas Manjanit, sot në mbrëmje mund të publikohet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve.

Sekretari për çështjet ligjore në LSI, Ylli Manjani në një dalje për mediat njoftoi se në të gjithë vendin pjesëmarrja në votim është 68%, ndërkohë që një pjesë e madhe në të gjtiëh qëndrat e votimit në vend, pritet të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

“68% pjesëmarrje në të gjithë Shqipërinë, konstatojmë se ka ende radhë për të votuar në shumicën e qendrave të votimit, këtë kosntatojmë ne si komisioni zgjedhor. Interesimi për anëtarësim është i lartë. Numërimi në fund të procesit do jetë manual, ndërkohë që elektronika do përdore për zgjedhjen e delegatëve, javën e ardhshme”,- informoi Manjani.

 *************************

Tiranë-“Zgjedhjet për kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim po zhvillohen sipas një procesi tepër demokratik dhe transparent”, deklaroi sot, kryetari aktual i LSI-së, Ilir Meta, njëkohësisht kandidat për këtë post, pasi votoi në një qendër votimi në Tiranë. “Kemi një pjesëmarrje të lartë në këtë votim për kryetarin e LSI-së. Përshëndes të gjithë ata që kanë marrë pjesë, është një pjesëmarrje jashtëzakonisht e lartë deri tani, sipas të dhënave paraprake”, tha Meta.

Ai ftoi të gjithë anëtarët e LSI-së që të vazhdojnë të bëhen pjesë e këtij procesi tepër demokratik dhe transparent dhe të thonë fjalën e tyre për të forcuar më tej LSI-në, dhe për ta bërë atë forcë fituese në vitin 2013, në emër të sfidave që ka LSI, në radhë të parë të sfidave për integrimin. I pyetur mbi grevën e ish-të përndjekurve politikë, Meta tha se duhet ndërtuar mekanizmi i zbatimit të ligjit dhe duhet hequr dorë nga akuzat dhe kundër akuzat”.

***********************

Tiranë-Lëvizja Socialiste për Integrim zgjedh sot kreun e ri mes kryetarit aktual Ilir Meta dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama. Në ora 08:00 në 159 qendra votimi në vend nisi votimi për kryetarin e ri të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërkohë që mbi 36 mijë anëtarët e kësaj partie do të votojnë për kryetarin e ri, mandati i të cilit parashikohet 4 vjet.

“Procesi zgjedhor në LSI ishte një garë që institucionalizoi debatin dhe ballafaqimin e mendimit ndryshe, vlera këto që jetësojnë dhe rrisin dimensionet e demokracisë në jetën e partisë”, deklaroi për mediat, Luan Rama, kandidat për postin e kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, pasi votoi në një qendër votimi në Tiranë.

LSI, vijoi ai, “sot kurorëzon një proces shumë të rëndësishëm të ristrukturimit dhe të riorganizimit tërësor të saj. Përmes fushatës zgjedhore konfirmuam dhe njëherë se në jetën politike shqiptare LSI ka bërë të vetat vlera fondamentale që lidhen me respektin dhe garantimin e votës së fshehtë të çdo anëtari të LSI-së”. Sipas tij, procesi zgjedhor në LSI ishte një garë që institucionalizoi debatin, ballafaqimin e mendimit ndryshe, vlera këto që jetësojnë dhe rrisin dimensionet e demokracisë në jetën e partisë.

Gara do jetë transparente për mediat ndërsa, numërimi i votave do të bëhet sipas një sistemi elektronik, pasi qendrat e votimit të mbyllen në ora 17:00. Që në themelimin e saj në vitin 2004, Ilir Meta është kryetar i LSI. 36.725 anëtarë të LSI-së votojnë sot për kryetarin e ri të saj, ndërsa kandidatët që do përballen për këtë post janë kreu aktual Ilir Meta dhe Luan Rama, Sekretar i Përgjithshëm i kësaj partie. (LajmeShqip.com)