Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 18:05

 

Prishtinë – AKR lëshon kumtesë, por s’e përmend prezencën e Pacollit në takimin e Kryesisë së saj, ashtu siç raportoi portali ynë pak çaste më parë. Ndërkohë, Presidenti i shkarkuar ka marrë pjesë në takimin e Kryesisë së kësaj partie dhe lajmi është konfirmuar nga bashkëpuëntori i portalit Lajmeshqip.com.

Në kumtesën e sapolëshuar të kësaj partie bëhet e ditur se Aleanca për Kosova e Re ka rikonfirmuar mbështetjen për marrëveshjen me koalicionin qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës, duke theksuar se do t’i qëndrojë besnik kësaj marrëveshje, për aq kohë sa do të respektohen pikat e saj. Kryesia e AKR-së në një mbledhje të mbajtur të hënën pasdite i ka dhënë mbështetje Behgjet Pacolli si kandidat i Koalicionit për Kosovës të Re për president të Kosovës, ndërkaq i ka bërë thirrje opozitës që të reflektojë pozitivisht për interesat e vendit.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR-së, Ibrahim Makolli ka thënë se gjatë kësaj mbledhje janë diskutuar katër pika kryesore, përmes të cilave, AKR-ja shpreh zotimin e saj për mbështetje të koalicionit qeverisës me PDK-në që nënkupton se AKR-ja i qëndron besnik marrëveshjes së arritur me partnerin e koalicionit me të gjitha pikat e saj dhe po ashtu kërkon zbatimin e saj në përpikëri.

Kryesia e AKR-së ka rikonfirmuar mbështetjen për Behgjet Pacollin për kandidat për president të Kosovës, ndërkohë Makolli nuk ka dashur të flas në mënyrë hipotetike, nëse PDK-ja mund të mos e mbështes Pacollin në votimin për president.

Ndërkohë, partneri i koalicionit të AKR-së, Agim Çeku, ka shprehur ambiciet për president të vendit, por Makolli thekson se edhe partnerët e Koalicionit për Kosovë të Re kanë qëndrim të njëjtë me AKR-në.

Aleanca Kosova e Re është e sigurt se edhe Partia Demokratike e Kosovës është e përkushtuar për zbatimin e marrëveshjes, ndërkaq ka mohuar të ketë vënë ultimatum për PDK-në, siç ishte raportuar para dy ditësh.

Një prej pikave të diskutua në mbledhjen e kryesisë së AKR-së ishte edhe ftesa për opozitën që të reflektojë pozitivisht në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR-së, ka theksuar se Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh kandidat konsensual, ngase sipas tij, kjo përjashtohet në vetë vendimin dhe sqarimin e Gjykatës Kushtetuese në të cilin kërkohet që të ketë së paku dy kandidatë për president.

Sipas tij, pas sqarimit të Gjykatës Kushtetuese se nuk ka vakuum në institucionin e presidentit, ka pushuar nevoja për seancë të jashtëzakonshme, ndërkohë që Makolli ka thënë se duhet parë edhe më tej procedurat për zgjedhjen e presidentit, duke mos thënë përgjigje të qartë nëse Suzan Novobërdali do të jetë kundërkandidatja e Pacolli.

Aleanca Kosova e Re ka inkurajuar partitë politike parlamentare dhe joparlamentare për konsulta të vazhdueshme që kanë të bëjnë me reformat në Ligjin zgjedhor, veçanërisht në ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit nga ana e votuesve të Kosovës.

*******

Prishtinë – Në këto momente sapo ka nisur një takim, për natyrën e tij i pazakontë, ndërmjet presidentit të shkarkuar, Behgjet Pacollit dhe kryesisë së partisë së tij, Aleanca Kosova e Re (AKR), bëjnë të ditur burime të Lajmeshqip.com.

Takimi po zhvillohet në një restaurant të Prishtinës, ndërkohë që flitet për mosmarrëveshje të mëdha midis partnerëve të koalicionit dhe pikërisht kjo, konfirmohet se do të jetë temë diskutimi.

Bëhet e ditur se deri më tani nuk është arritur ndonjë marrëveshje midis Kryeministrit Thaçi dhe Presidentit të shkarkuar, për fatin e mëtejmë të koalicionit qeverisës në vend.

Situata është konfuzuar edhe më tej pas publikimit të qëndrimeve të fundit të partive opozitare ndaj kandidaturës së Pacollit, kurse partia e këtij të fundit ka këmbëngulur se nuk do ta vazhdojë koalicionin, nëse Pacolli nuk do të jetë president.

Pacolli, i shkarkuar nga posti i presidentit të vendit, pas verdiktit të fundit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës, nuk e ushtron zyrtarisht as postin e kryetarit të partisë së tij, AKR, nga e cila, në përputhje me Kushtetutën, pati dhënë dorëheqje menjëherë pas zgjedhjes President.

Aktualisht, zyrtarisht, postin e kryetarit të AKR-së e ushtron deputeti Ibrahim Makolli.