Lajme Shqip Wednesday, 23 March 2011 18:19

Pacolli-Veljanoski: Farkohen marrëdhëniet me Maqedoninë

Shkup – Marrëdhëniet midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës janë shumë të mira dhe kanë trend rritës, u theksua në takimin e sotëm të kryetarit të Kuvendit Trajko Veljanoski me presidentin e Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli.

Duke theksuar se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një nga prioritetet e politikës së jashtme të Republikës së Maqedonisë, siç kumtoi Kabineti i kryetarit të Kuvendit, Veljanoski theksoi se kjo është në dobi të dy shteteve, ndërsa njëkohësisht e përforcon stabilitetin në gjithë rajonin dhe të ardhmen e tij euroatlantike. Duke pasur parasysh se në proceset e integrimit në BE dhe NATO parlamentet kanë rol mjaft të rëndësishëm, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë është i gatshëm me kolegët e Parlamentit kosovar t’i ndajë të gjitha përvojat dhe të ndihmojë në realizimin e axhendës së tyre euroatlantike.

Në bisedimet kryetari Veljanoski u përqëndrua edhe në pozitën e goranëve. “Pres që në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë në Kosovë, duke i respektuar standardet evropiane, këta njerëz lirshëm ta shprehin përkatësinë e tyre etnike”, tha kryetari i Kuvendit.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Pacolli duke shprehur kënaqësi nga takimi dhe në përgjithësi nga vizita e tij në Maqedoni, theksoi se ai personalisht, ndërsa edhe qytetarët e Kosovës, Maqedoninë e shohin si mike të sinqertë.

“Ne asnjëherë nuk do të harrojmë se Republika e Maqedonisë pranoi mbi treqind mijë refugjatë, dhe ishte me të vërtetë akt bujar. Ajo që është e rëndësishme është fakti se si fqinjë kemi respektim të ndërsjellë dhe bisedojmë për të ardhmen, ndërsa ato janë integrimet euroatlantike. Pikërisht për këtë e vlerësojmë secilën ndihmë tuaj në realizimin e këtij përcaktimi dhe me të vëretetë ju shpreh falënderimet për gatishmërinë tuaj që me Parlamentin e Republikës së Kosovës t’i ndani përvojat e juaja, e ato gjithsesi se janë shumë të dobishme për ne”, tha Pacolli.

Presidenti kosovar theksoi se ai personalisht i njeh dhe i vlerëson goranët dhe theksoi se regjistrimi i ardhshëm në Kosovë do të zhvillohet strikt sipas standardeve evropiane, gjegjësisht se të gjithë qytetarët do të mund lirshëm ta shprehin përkatësinë e tyre kombëtare.

Pacolli në Maqedoni, pritje me nderime shtetërore

Shkup – Për herë të parë në rezidencën e presidentit të Maqedonisë, u prit një kryetar kosovar me nderimet më të larta shtetërore.

Shefi i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, është pritur me nderime të larta nga presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov. Temë e bisedimeve kanë qenë lëvizja ndërmjet shtetasve pa pasaportë, bashkëpunimi ekonomik, shkëmbimi i përvojave për euro-integrimet, marrëdhëniet ndëretnike, ndërsa kanë firmosur bashkërisht edhe marrëveshje në sferën e bujqësisë.

“Me liberalizimin e vizave të Kosovës, dy palët do të kenë mundësi të lëvizin nga një shtet në tjetrin vetëm me letërnjoftime”, kanë paralajmëruar homologët Pacolli-Ivanov.

“Po, biseduam gjatë takimit edhe për këtë temë. Këtë çështje ua kemi lënë Qeverive ta shqyrtojnë dhe të vazhdojnë bashkëpunimin në atë plan. Sepse rajoni duhet t’i plotësojë kriteret që neve na i kërkon Evropa, sepse duhet të gjithë t’i plotësojmë standardet që i kërkon Evropa për liberalizimin e vizave. Besoj se kur t’i plotësojmë këto kritere qytetarët do të mund të lëvizin lirshëm me letër njoftime”, ka thënë Ivanov.

“Konsideroj se kjo do të ndodh shumë shpejtë, unë promovova idenë dhe kërkova ndihmën e Ivanovit, në këtë drejtim që edhe në mes Kosovës dhe Maqedonisë të ketë lëvizje të lirë të njerëzve normalisht me më pak formalitete, me letër njoftime, por biseduam edhe për nevojën që kufijtë të humbin sensin e tyre të hapim edhe pika të reja kufitare që të mundësojmë lëvizjen e vërtetët të lirë të qytetarëve tanë. Tani ka ardhur koha që ne të fillojmë punën në këtë drejtim dhe besoj se në kohë shumë të shkurtë qeveritë tona këtë do ta marrin shumë seriozisht”, ka thënë Pacolli.

Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, me ftesë të presidentit Gjorge Ivanov, po qëndron për vizitë zyrtare dyditore në Maqedoni. Gjatë ditës ai takohet edhe me kryetarin e Parlamentit Trajko Veljanovski, si dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të Maqedonisë. Pacolli ka vizituar edhe Çarshinë e Vjetër të Shkupit dhe monumentet kulturore në të. Ndryshe, ditën e dytë të vizitës Pacolli do të realizojë në Tetovë, ku do të ketë takime me krerët e partive shqiptare si dhe do të vizitojë disa kompani të rëndësishme biznesi.