Lajme Shqip Wednesday, 23 March 2011 14:27

Deçan – Për dallim prej komunave të tjera ku në orët e para të protestës së sotme nuk është raportuar për ndonjë incident, në Deçan kjo ka ndodhur.

Pikërisht në kohën sa mbahej protesta, në mënyrë enigmatike, nga persona tani për tani të panjohur, është thyer zyra e Veteranëve të Luftës të UÇK-së në këtë komunë dhe është vjedhur hard-disc-u i kompjuterit të zyrës, ka raportuar korrespondenti i Lajmeshqip.com.

Në një prononcim për lajmeshqip.com, kryetari i veteranëve të UÇK-së nga kjo komunë, koloneli Abdyl Mushkolaj, e ka quajtur këtë vepër thyerje dhe plaçkitje të qëllimshme që është bërë, siç ka thënë ai, “pikërisht nga ata kundër të cilëve ne protestuam sot”.

“Thyerja ka qenë shumë profesionale dhe në kohën kur të gjithë ishim në protestë, ka thënë Mushkolaj, sipas të cilit “edhe caku i vandalizmit ka qenë jo i rastësishëm, pikërisht kompjuteri me të dhënat e punës sonë”.

Është raportuar se policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke i vazhduar hetimet, ndërkohë që ende nuk ka të dyshuar për rastin.

Kosova protestoi në mbrojtje të UÇK-së

Prishtinë – Sot në Prishtinë është mbajtur një protestë me qindra pjesëmarrës në sheshin kryesor, “Nënë Tereza”, e organizuar nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së kundër arrestimeve të fundit të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga policia e EULEX-it.

“Lufta e UÇK-së të mbrohet me ligj”, është shkruar në një nga pankartat e protestuesve.

Janë mbajtur edhe protesta të paralajmëruara në të njëjtën kohë, në 26 komuna, duke theksuar se do të kundërshtohet demonizimi i luftës çlirimtare.

Protestuesit bëjnë të ditur se ndaj misionit të EULEX-it do të paraqiten disa kërkesa rreth rolit të tij.

“Stop rolit ekzekutiv të EULEX-it”, ishte një kërkesë në pankartat e protestuesve.