Lajme Shqip Saturday, 02 April 2011 11:48

Presidenti Topi dhe Kryeministri Berisha shprehu ngushëllime

Tiranë – “Shqipëria dhe shqiptarët kanë pasur tek Kryegjyshi i Bektashizmit një simbol të madh të mirësisë, paqes, mirëkuptimit dhe përkushtimit ndaj vlerave njerëzore e hyjnore”, tha sot Kryeministri Sali Berisha, i cili shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Kryegjyshit Baba Reshat Bardhi.
Sipas zyrës së shtypit te Kryeministrisë, Kryeministri Berisha, i cili ka ndjekur me vëmendje gjendjen e renduar shëndetësore të Baba Reshat Bardhit deri mbrëmë në mesnatë, ndjehet i pikëlluar thellë, së bashku me të gjithë shqiptarët, për ndarjen nga jeta të udhëheqësit shpirtëror të bektashizmit shqiptar dhe botëror, Kryegjyshit Baba Reshat Bardhi.
Kryeministri vlerësoi se pas shembjes së diktaturës komuniste, Baba Reshat Bardhi rindërtoi me shpejtësi vlerat e rrënuara nga regjimi barbar të bektashizmit shqiptar. 
“Ai vdiq sot duke lënë mbrapa veprën e tij të frymëzimit për mirëkuptim, paqe, tolerancë e harmoni”, thuhet në këtë mesazh ngushëllimi.

 

*******************

Ngushëlloi Presidenti Topi

Tiranë – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi,shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhit.

Sipas zyrës së shtypit te Presidencës, përmes një mesazhi ngushëllimi, Presidenti vlerëson se “Haxhi Dede Reshat Bardhi i përket atij brezi të paharrueshëm atdhetarësh, të cilët iu kundërvunë diktaturës komuniste nëpërmjet forcës së shpirtit, besimit për të Plotfuqishmin dhe dashurisë për shqiptarizmën”.

“Me hidhërim të madh dhe dhimbje të thellë mësova se Haxhi Dede Reshat Bardhi u nda përfundimisht nga gjiri ynë. Në këtë ditë të trishtuar, shembulli i këtij njeriu me vlera të jashtëzakonshme humane e shpirtërore, i këtij udhëheqësi fetar të përkushtuar, i cili ka dhënë kontributin e vet të çmueshëm e të pakursyer jo vetëm për fenë e bektashizmit, por edhe për rivendosjen dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri, na detyron të gjithëve të përulemi me nderim e respekt para jetës dhe veprës së tij”, thuhet në këtë mesazh.

Kreu i Shtetit vlerëson se “ai ishte jo vetëm një njeri i rrallë, një udhëheqës fetar altruist dhe frymëzues, por edhe një shqiptar i vërtetë, i cili e kaloi gjithë jetën dhe u shua duke luftuar e duke u përpjekur për idealet më sublime të besimit, lirisë, demokracisë dhe përparimit”.

*********

Tiranë – Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi ndërroi jetë të shtunën në mesditë, në moshën 76-vjeçare, në spitalin gjerman në Tiranë, ku ndodhej prej ditësh në kujdesin e mjekëve.

Mjekët e këtij spitali konfirmuan se Baba Reshat Bardhi ndërroi jetë nga një sëmundje malinje e pashërueshme, e diagonostikuar në shtatorin e vitit të kaluar, nga mjekët e një klinike në Amerikë, në bashkëpunim me mjekët e spitalit Gjerman në Tiranë dhe të një një spitali në Vjenë.

Haxhi Dede Reshat Bardhi u lind në 4 mars të vitit 1935 në fshatin Lusëm të Kukësit.