Lajme Shqip Monday, 28 March 2011 15:25

Prishtinë – Nuk dihen ende zhvillimet dhe procedurat e mëtejshme, disa orë pasi që Gjykata Kushtetuese shpalli se kishte konstatuar se vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, me datë 22 shkurt 2011, “është jo kushtetues pasi është në kundërshtim me kërkesat e nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe parimet demokratike të mishëruara aty”.

Por, një nga mundësitë mund të jetë që zgjedhja e Behgjet Pacollit president mund të kthehet në rivotim në Kuvendin e Kosovës.

Behgjet Pacolli u zgjodh president më 22 shkurt me 62 vota në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit 120 anëtarësh, në raundin e tretë të votimit, i cili u mbajt edhe pse nuk kishte më shumë se një kandidat, dhe pas dështimit që të zgjidhej në raundin e parë e të dytë, në të cilat fitoi 54 e 58 vota, kur duhej t’i kishte së paku 80 në votimin e fshehtë, derisa në sallë ishin 67 deputetë, pasi grupet parlamentare të partive opozitare u larguan.

Ende nuk ka ndonjë reagim apo prononcim nga Presidenca e Republikës së Kosovës. Para se te shpallej vendimi i Gjykatës Kushtetuese, nga Presidenca ishte njoftuar axhenda për nesër e presidentit Pacolli, sipas së cilës ai gjatë pasditës do të qëndrojë në Gjakovë për t’u takuar me përfaqësuesit e biznesit, e me pas  me intelektualët. Por, pas zhvillimit më të ri që vjen nga Gjykata Kushtetuese, mund të ketë edhe ndryshim axhende.

**********************************

Kosova për 60 ditë mund të mbetet pa president, për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Sipas kësaj, brenda 60 ditëve koalicioni duhet ta zgjedhë presidentin e ri apo të njëjtin.

Në të njëjtën kohe raportohet se në rastin zgjedhjes së presidentit në Kuvendin e Kosovës, në seancëne 22 shkurtit, Kushtetutën e ka shkelë kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, shkaku i procedurave dhe në mungesë të 2/3 të votave prezente në raundin e parë dhe të dytë të votimit.

Kushtetuesja: Bie Pacolli, Kosova mbetet pa president

Prishtinë – Kosova, sërish pa president dhe në vakuum institucional. Kështu pritet të ndodhë së shpejti, pasi që Gjykata Kushtetuese veç e ka marrë vendimin në të cilin thuhet se “zgjedhja është në kundërshtim me kërkesat e Nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe parimet demokratike të mishëruara aty”.

Lënda e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e deponuar në Gjykatën Kushtetuese një muaj më parë, ku pretendohej që Kuvendi i Kosovës kishte shkelur procedurat zgjedhore me zgjedhjen e Behgjet Pacollit President, duket të ketë qenë argument i mjafteeshëm që Kushtetuesja të marrë vendimin.

I njëjti burim nga Gjykata Kushtetuese ka saktësuar se vendimi nuk do ta rikthejë në rivotim në Kuvend kandidaturën Pacolli, siç ishte thënë më parë, por saktëson se ai duhet të japë dorëheqje nga posti, pa të drejtë rivotimi në Kuvend, duke pasë fatin e njëjtë me paraardhësin e tij, Fatmir Sejdiu.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e përkrahur edhe nga partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), para një muaji e kishte dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës padinë ku pretendohej se janë shkelur procedurat me rastin e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, në seancën e Kuvendit të Kosovës, më 22 shkurt të këtij viti.

Në këtë rast, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, vendi do të futet në një krizë tjetër institucionale, për të shkuar brenda 45 ditësh në zgjedhje të parakohëshme. Në ndërkohë, deri në zgjedhjet tjera, konform dokumentit më të lartë në vend, detyrën e president e ushtron kryetari i Kuvendit të Republikës. (Lajmeshqip.com)