Lajme Shqip Friday, 14 September 2012 13:39

Prishtinë – Kosova i dorëzon sot Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, raportin e parë vlerësues për gjendjen aktuale rreth plotësimit të 95 kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Raporti në fjalë iu dorëzua fillimisht Brukselit në 1 shtator nga Ministrja për Integrime Vlora Çitaku, por Prishtinës ju dha kohë që deri më 15 shtator të bëjë ndryshimet përfundimtare. Ministri i Brendshem Bajram Rexhepi ka shprehur bindjen se raporti do të vlerësohet pozitivisht nga BE-ja.

Në qershor të këtij viti Brukseli i dorëzoi Kosovës një udhërrëfyes për liberalizimin e vizave, i prezantuar si një listë gjithëpërfshirëse reformash. Me gjithë premtimet e zyrtarëve vendorë, ekspertët shprehen skeptikë për ndryshimin e situatës në nje periudhë afat-shkurtër. Sipas tyre frika e qeverive evropiane për rritjen e numrit të azilkërkuesve kosovarë, ka ashpërsuar kriteret për Prishtinën zyrtare.