Lajme Shqip Thursday, 28 June 2012 15:47

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vendosi të enjten t`i hapë rrugën organizimit të një referendumi të përgjithshëm ‘kundër mbetjeve’, të kërkuar nga Aleanca Kundër Importit të Plehrave(AKIP).

Pas dy ditë shqyrtimi të kërkesës, KQZ, me 6 vota pro, vendosi sot ta konsiderojë të rregullt dokumentacionin e paraqitur nga grupi nismëtar i AKIP, që kërkon mbajtjen e një referendumi me qëllim shfuqizimin e dy neneve të ligjit “Për menazhimin e integruar të mbetjeve”. Pas miratimit të p/vendimit, KQZ, sipas ligjit do ia përcjellë kërkesën për referendum Gjykatës Kushtetuese më 3 janar 2013, e cila më pas do marrë në shqyrtim ligjshmërinë e saj.

Gjithashtu, për vendimin e sotëm të KQZ-së do të njoftohet dhe kryetari i Kuvendit dhe kryeministri. Në nëntor 2011, Aleanca kundër Importit të Plehrave depozitoi në KQZ kërkesën për mbajtjen e një referendumi të përgjithshëm për shfuqizimin e një pjese të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, i miratuar në Kuvend në shtator 2011. 
Sipas grupit nismëtar, dy nene të këtij ligji (22 dhe 49) lejojnë importimin e mbetjeve urbane nga vende të tjera në shërbim të industrive ricikluese, duke rrezikuar jetën e shoqërisë dhe mjedisin shqiptar.

Nga ana e saj Aleanca kundër Importit të Plehrave e quan farsë vendimin e marrë sot nga KQZ. “U përballëm me një farsë të këtij institucioni të njohur për bëmat e tij dhe për vendimmarrje komplet jashtë interesave të popullit e ligjit. KQZ vendosi në mënyrë qesharake që këtë vendim ta vendosë në sirtare dhe ta nxjerrë nga sirtati në janar 2013 që ta kapi neni dhe ligji se nuk mund të bëhet referendumi pasi pas 6 muajsh do jenë zgjedhjet parlamentare. Po tallen me një popull të tërë. “- tha anëtar i Aleancës Lavdosh Ferruni duke shtuar se pasi “të analizojmë cështjen me kujdes do të ndërmarrim dhe hapat e tjera” (LajmeShqip.com)