Lajme Shqip Monday, 28 March 2011 18:38

Tiranë – Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu raportoi sot në Komisionin Parlamentar të Integrimit lidhur me Planin e Veprimit të përgatitur nga institucionet shqiptare për 12 rekomandimet e Komisionit Europian për Shqipërinë, duke veçuar se “në përgatitjen e këtij pnai u përfshinë të gjitha institucionet përkatëse”.

Gjatë kësaj seance dëgjimore, përveç anëtarëve të mazhorancës, nga opozita ishin të pranishëm vetëm kryetarja e Komisioni Ermelinda Meksi dhe deputeti Ditmir Bushati.

Bregu bëri të ditur se “gjatë përgatitjes së këtij Plani veprimi u bazuam në një analizë të materialeve të opinionit të KE, në një metodologji të konstruktuar, e cila për herë të parë i është dhënë si një model i konsoliduar të gjitha institucioneve shqiptare”.

Ndërsa lidhur me 12 rekomadimet, ministrja tha se “kemi propozuar që të gjitha institucionet të bënin gati një input të tyren, me planifikim strategjik gjithëpërfshirës, buxhetim dhe aktivitete që duhet të përfundojnë, maksimumi brenda muajit korrik, por duke patur parasysh që në maj, duhet të dorëzojmë inputin për progres-raportin e muajit nëntor”.

Sipas saj, institucioneve u është kërkuar të jenë sa më të saktë dhe real në parashikimet e tyre me një plan-veprim strikt, ndonëse mundësitë e korrigjimit të tij do të shyrtohen gjatë ditëve në vijim në komisionin e integrimit dhe atë të jashtëm.

Bregu vuri në dukje se “anëtarët e këtyre komisioneve janë të thirrur të marrin pjesë në diskutimet për 5 rekomandimet e para, që kanë të bëjnë kryesisht me Parlamentin, ligjet me shumicë të cilësuar, pjesa që ka të bëjë me përgatitjen zgjedhore dhe të gjitha prioritetet e tjera si Ombudsmani”.

Kryetarja e Komisionit, Meksi shprehu shqetësimin që, “gjatë përgatitjes së këtij plani-veprimi, nuk është ftuar opozita  për të dhënë zyrtarisht versionin e saj lidhur me rekomandimet”.

Por ministrja Bregu e hodhi poshtë këtë akuzë, duke sqaruar se “që nga 16 shkurti, kur Ministria e Integrimit i ka dërguar një letër-kërkesë Komisionit të Integrimit për të bashkëpunuar, deri sot, Komisioni dhe kryetarja e tij, znj.Meksi nuk i kanë kthyer asnjë përgjigje zyrtare për bashkëpunim dhe monitorim të Plan-Veprimit”.

“Nuk jam thërritur, as jam pyetur për çfarë kishim nevojë për këtë plan. Aq më tepër që nuk e kuptoj pse kjo mazhorancë dhe qeveria, duhet t’ju kërkojë juve që të shpreheni për votimin e ligjeve me 3/5, sepse detyrimi për votimin e këtyre ligjeve, nga kodi ajror, hekurudhor nga ligji për gjykatën administrative është edhe i juaji. Siç edhe thatë, detyrat tuaja ju i merrni vetë”, deklaroi ministrja.

Bregu ju përgjigj edhe shqetësimit që paraqiti përfaqësuesi i opozitës, Ditmir Bushati mbi mospërfshirjen në këtë plan-veprimi të institucioneve të pavaruara dhe parlamentit. “Për këtë Plan Veprimi janë konsultuar dhe kanë sjellë raportet e tyre të gjitha institucionet e pavaruara, Prokuroria, Presidenca, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Avokati i Popullit, etj., dhe të dhënat e tyre mund të vërtetohen lehtë nga përmbajtja e Planit të Veprimit”, tha ministrja e Integrimit.