Lajme Shqip Monday, 30 April 2012 17:23

Tiranë – Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu raportoi të hënën në komisionin parlamentar të Integrimit lidhur me ecurinë e planit të veprimit në përmbushjen e 12 prioriteteve të Komisionit Europian për Shqipërinë.

Në raportimin e saj, ministrja Bregu vuri në dukje progresin e bërë në këtë drejtim në disa pika kyçe, si për reformën zgjedhore dhe pr/ligjin “Për gjykatën administrative”.
“Pas gjykatës administrative duhet të kalojë dhe ligji ‘për shërbimin civil’, i cili kërkon 3/5 në parlament. Ftoj opozitën që ta votojë këtë ligj në mënyrë që kjo të jetë një tjetër provë e kaluar”, theksoi ministrja Bregu.

Ajo shprehu gatishmërinë e mazhorancës për të votuar alternativën e opozitës për heqjen e imunitetit brenda këtij sesioni. “Për të plotësuar prioritetin e 8-të të KE-së duhet të votohet ligji ‘për imunitetin’. Lufta ndaj korrupsionit ka nevojë që të votohet ‘kufizimi i imunitetit’. Mazhoranca ka vullnetin për të votuar kufizimin e imunitetit të deputetëve, me cilëndo alternativë që opozita do të zgjedhë si të preferueshme”, theksoi ministrja.

Sipas Bregut, lista e prioriteteve të KE-së nuk mbyllet brenda këtij viti, por për vitin 2012 është i nevojshëm vullneti politik i palëve. “Duhet të përmbushim masat deri në shtator, që në tetor të marrim statusin e BE-së”. (LajmeShqip.com)