Lajme Shqip Wednesday, 14 August 2013 16:02

Tiranë- Ka përfunduar tragjikisht me një të vdekur dhe një të plagosur marrëdhënia intime ndërmjet 52-vjeçarit, Agim Eminit dhe Alma Suçit, studente 21-vjeçare.

Në ambjentet e brendshme të nje hoteli në kryeqytet, në zonën e njohur si vilat gjermane Emini pas një debati me të dashurën e tij ka qëlluar me pistoletë, duke plagosur Alma Suçin e më pas është vetëvrarë.

Uniformat blu kanë nisur hetimet, ndërsa konfirmohet nga ekspertët kriminalistë, që në vendngjarje janë gjetur tri gëzhoja.

Si shkak i ngjarjes dyshohet një konflikt banal ndërmjet çiftit, i cili ka nisur gjatë momenteve intime në dhomën e hotelit, për të degjeneruar më pas në të shtëna armësh.

E plagosura është dërguar menjëherë në spital, ndërsa 52-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra, raporton Shqiptarja.

Burime nga komisariati një në kryeqytet thanë për “A1 Report” se 21-vjeçarja është me origjinë nga qyteti i Skraparit dhe prej disa kohësh jetonte në kryeqytet, ku ndiqte dhe studimet.

Aktualisht Suçi ndodhet në Spitalin Ushtarak në trajtimin e mjekëve dhe, edhe pse është jashtë rrezikut për jetën, po kurohet intesivisht në sallën e reaminacionit. Mbetet e paqartë dinamika e ngjarjeve.