Lajme Shqip Monday, 10 August 2015 15:42

Pushimet e amerikano-kosovarit, F.C. në bregdetin shqiptar nuk i kanë shkuar siç e kishte menduar. Mbrëmjen e së dielës, dhoma e tij në hotelin ku ishte akomoduar me familje në Dhërmi është plaçkitur. Atij i janë marrë valixhet, pasaportat amerikane të tij dhe familjarëve tjerë si dhe rreth 4 mijë dollarë.

F. Cakolli kishte ardhur nga Amerika ku edhe jeton për të pushuar në Shqipëri. Bukuritë e bregdetit shqiptar e kishin joshur atë dhe familjen e tij për të kaluar edhe oqeanin për të bërë pushime në Dhërmi, megjithatë jo gjithçka i kishte shkuar siç e kishte planifikuar.

Dhoma e hotelit ku F.C. ishte vendosur bashkë me gruan, vajzën dhe mbesën e tij, është plaçkitur në orët e vona të së dielës.

Përveç valixheve dhe një shume parash kesh, atyre u janë marrë edhe pasaportat amerikane dhe dokumentet tjerë.

“Ata ishin duke fjetur në momentin kur ka ndodhur ngjarja. Hajnat kanë hyrë për ballkoni natën në dhomë. Ua kanë marrë çantat, 4 pasaporta, të tij, të gruas, vajzës dhe mbesës së tij. Edhe 4100 dollarë kesh”, rrëfen për Gazetën Express A.S., i afërm i familjes Cakolli, cili po pushon në Dhërmi bashkë me familjen amerikano-kosovare.

Se ishin plaçkitur, këta pushues e kishin kuptuar tek të nesërmen (sot) kur ishin zgjuar nga gjumi. Ata kanë lajmëruar menjëherë policinë, dhe nga këta të fundit kishin marrë vesh se nuk kanë qenë viktimat e para të plaçkitjes në të njëjtin hotel dhe në të njëjtën dhomë.

“Policia na tregun se është hera e dytë që kanë vjedhur në të njëjtin hotel dhe të njëjtën dhomë”, tregon për Gazetën Express ky i afërm i viktimave të kësaj vjedhje.

Dyshimet e para sipas familjarëve janë tek pronarët e hotelit “Marko”, ku familja amerikano-kosovare ishin akomoduar një ditë më parë. Kjo pasi sipas të afërmit, A.S., ata kishin rezervuar në hotel tri dhoma, në katin e dytë. Por kur ata u akomoduan, familjen amerikano-kosovare të F.C. pronarët e hotelit e kishin akomoduar në katin e parë, pa pëlqimin e tij, dhe plaçkitja kishte ndodhur pikërisht në atë dhomë dhe në natën e parë të akomodimit. /GazetaExpress