Lajme Shqip Thursday, 13 August 2015 10:23

Kosovari 35 vjeçar akuzohet se brenda dy muajve e ka sulmuar dy herë bankën e njëjtë. Në plaçkitjen e dytë ka bërë një gabim fillestar: e ka harruar dorezën në vendin e krimit

Kosovari, një punëtor ndihmës i cili jeton prej rreth 20 vitesh në Gjermani, fajësohet se në maj dhe në korrik të vitit 2014 ka plaçkitur bankën Raiffeisen bank në Adliswil. Sipas padisë, ai të dy herët, i maskuar me një kapele, me syze dielli, me doreza, me jakën e xhaketës të ngritur lartë ka hyrë në bankë dhe ka kërkuar para duke i kërcënuar punonjësit e bankës me një pistoletë.

Në njërin nga rastet ai ia ka mbajtur një nëpunësi të bankës pistoletë në qafë dhe e ka rrotulluar karikatorin e saj. Ndërsa dy nga nëpunësit ka pasur fatin e keq që të jenë të dy herët viktima të plaçkitjes së tij, shkruan tagesanzeiger.ch. Preja që ka marrë ai të dy herët, i kalon 70 mijë frangat.

Doreza që i ka rënë gjatë plaçkitjes së dytë e ka “tradhtuar” kosovarin. Përmes saj, ekspertët e forensikës kanë zbuluar gjurmët e ADN-së së tij dhe kësht e kanë identifikuar personin e dënuar tashmë nëntë herë. Ai është kapur nga policia në dhjetorin e vitit të kaluar gjatë kalimit nga Ksoova në Maqedoni, falë një fletarresti ndërkombëtar.

I akuzuari, në procesin gjyqësor që po mbahet në Gjykatën e Qarkut në Horgen, ka kundërshtur të mërkurën të gjitha pikat e akuzës, transmeton albinfo.ch. “Unë nuk kam të bëj asgjë me këtë punë”, ka thënë kosovari. Ai pranon se pak ditë para sulmit të parë ka bujtur në një hotel në Cyrih me të dashurën e tij e cila ka punuar pjesërisht edhe si prostitutë. Ajo ka takuar në Cyrih dashnorët që i ka kontaktuar përmes internetit ndërsa i akuzuari e ka bërë përcjelljen e saj.

Prokurorja e qarkut. Simone Brändli ka kërkuar 4 vjet burg për kosovarin. Ajo thotë se gjurmët e ADN-së i takojnë pa dyshim të akuzuarit. Veç kësaj, edhe punonjësit e bankës janë të bindur se në të dy rastet bëhet fjalë për personin e njëjtë, si për nga pamja ashtu dhe nga gjestika por edhe nga arma e njëjtë e përdorur në të dy rastet. Edhe në xhirimet me videokamerë shihet ngjashmëria optike. Ndërsa avokatja mbrojtëse e viktimave ka thënë se nëpunësit e sulmuar kanë pasur një frikë të tmerrshme dhe se sulmet u kanë lënë vrragë të thella në shpirt.

Nga ana tjetër mbrojtësi i të akuzuarit, veç shpalljes së pafajshëm të të akuzuarit, ka kërkuar për të edhe dëmshpërblim prej 24 mijë frangash për qëndrimin e deritashëm 8 mujor në burg. Ai ka thënë se bëhet fjalë për një proces të mbështetur thjesht në indice dhe jo në prova, përcjell albinfo.ch.

Avokati nuk e konteston vërtetësinë e ADN-së dhe ajo sipas tij mund të paraqesë një indice që e ngarkon klientin e tij por assesi nuk është provë (dëshmi) se klienti i tij është personi që ka kryer veprat me të cilat ngarkohet. Kjo për faktin se mikja e tij ne banesën e përbashkët në afërsi të Hanoverit u ka lëshuar vazhdimisht dhoma me qira shqiptarëve dhe në banesën e saj ka ofruar shërbime seksuale. Për këtë arsye sipas tij është e mundur që ndonjëri nga këta burra ta ketë vjedhur dorezën në fjalë dhe me të të ketë kryer sulmin, ku do ta ketë humbur atë dorezë.

Trupi gjykues nuk e ka shpallur vendimin të mërkurën por atë do t`ua dërgojë palëve me shkrim.